Lajm Formues
Dismenorrhea: klasifikimi dhe trajtimi
Termi dismenorrhea emërton dhimbjen periodike të lidhur me ciklin menstrual. Ajo ndahet në dismenorrhe primare, kur mungojnë ndryshimet e aparatit riprodhues dhe dismenorrhe sekondare ose organike në qoftë se ekziston një situatë patologjike themelore, e dukshme, përgjegjëse për simptomën.
Karakteristikat
Dismenorrhea është një simptomë shumë e zakonshme në mesin e grave fertile, sidomos ato më të rejat. Godet rreth 15-60 % të popullsisë femërore, fillon me adoleshencën dhe ka tendencë të ulet me moshën ose pas shtatzanisë së parë. Kohëzgjatja dhe intensiteti i dhimbjes mund të jetë shumë e ndryshueshme, në varësi të pragut të tolerancës, duke arritur nivele që ndërhyjnë në aktivitetin normal të jetës së përditshme: rreth 15% e grave vuajnë nga një formë dismenorrhe-je të rëndë që kërkon ndërhyrje mjekësore ose mjekim.
Simptomat
Dhimbja menstruale e tipit krampiforme, e lokalizuar në zonën inferiore të abdomit, e mërzitshme dhe e vazhdueshme. Ndonjëherë sjell sikletedhe në perineum, anus, vulvë, shpinë dhe këmbë. Shfaqet disa orë para fillimittë menstruacioneve dhe mund të zgjasë për 3-4 ditë, me një kulm në 24 orët e para. Në dismenorrhenë dytësore dhimbja mund të zgjasë më tepër e të shfaqet dhe në momente të tjera të ciklit dhe të shoqërohet me të përzjera, diarre, kapsllëk, dhimbje koke, nervozizëm dhe lodhje.
Shkaqet
Në dismenorrhenë primare të lidhur me ciklet e ovulimit, dhimbja vjen nga kontraktimet e uterusit të shkaktuara nga përqendrimi i lartë i prostaglandinës, prodhuar nga endometriumi, që përkeqësojnë aktivitetin shtrëngues dhe favorizojnë ndjeshmërinë e fibrave nervore në stimuj mekanik. Ndër faktorët e rrezikut mund të jenë struktura e mitrës, përmasat e kanalit të mitrës, nivelet e larta të vazopresinës, pasiviteti dhe ankthi i lidhur me menstruacionet. Shkaqet më të shpeshta të dismenorrhesë sekondare lidhen me patologjitë e aparatit gjenital të brendshëm si endometriozi, prania e një fibrome submuskulare, nga një polip endometrial, aderencat e pelvisit ose përdorimi i spirales.
Trajtimi
Hapi i parë është vlerësimi i gradës, kohëzgjatja, lokalizimi i dhimbjes dhe ndikimi në jetën e pacientit. Pas përjashtimit të patologjive organike sekondare nëpërmjet analizave instrumentale (ekografia transvaginale), duke patur parasysh natyrën e çrregullimit, barnat më efektive në formën primare janë inhibitorët e sintezës së prostaglandinës si ibuprofeni, naprokseni dhe të ngjashme. Ndonjëherë janë të nevojshëm spazmolitikët. Qëllimi është eliminimi i dhimbjeve por duhet të kihet parasysh që trajtimi mund të zgjasë në kohë dhe të ketë efekte anësore. Si terapi parandaluese mund të përdoret një kontraceptiv oral estro-progestinikë. Endometrioza dhe kushtet e tjera përgjegjëse për dismenorrhenë sekondare mund të korrigjohen nëpërmjet kirurgjisë (polipektomia etj).
Pyetje esenciale
Dhimbja shfaqet çdo muaj dhe është e lidhur gjithmonë me ciklin menstrual?
Tenton të shpërndahet dhe të ndryshojë intensitet në çdo ditë që kalon?
A vuani nga endometrioza?
Alessia është 24 vjeçe dhe vuan nga dismenorrhea që kur ishte vajzë. Është kundër marrjes së barnave, por ndonjëherë dhimbja është aq e fortë sa është e detyruar të largohet nga puna.