Stomatiti aftoz është një proces inflamator i pjesëve të buta të zgavrës së gojës i karakterizuar nga formimi i plagëve të vogla ulçeroze të njohura si afte. Ato krijohen kryesisht në mishrat e dhëmbëve, qiellëz, gjuhë, sipërfaqet e brendshme të faqeve dhe buzëve.
Shkaqet
Mund të varen nga higjiena e pamjaftueshme orale, nga përdorimi i impianteve dhe protezave dentare, nga mikrotrauma brenda gojës dhe reduktimi i imunitetit. Mes faktorëve të riskut është identifikuar edhe mungesa e folateve, vitamina B12 dhe hekuri, stresi dhe infeksione të tjera shoqëruese, ndryshimet hormonale të lidhura me ciklin menstrual, radio dhe kimioterapia. Shkaqet e stomatitit mund të lidhen edhe me celiakinë, sëmundjen e Crohn dhe patologji të tjera të natyrës autoimune.
Shfaqja dhe simptomat
Aftat mund të kenë dimensione të ndryshme, mund të jenë të izoluara ose në grup, në formë rrethore ose vezake, të veshura me një shtresë ngjyrë të verdhë në të bardhë dhe të kuqe në qendër. Simptomat tipike janë ndjesia e djegies, dhimbje akute dhe bezdi veçanërisht gjatë ngrënies së ushqimit dhe përdorimit të furçës së dhëmbëve. Ndonëse i ngjashëm në pamje të parë me "temperaturën e buzëve" (Herpesi simplex), stomatiti aftoz nuk duhet të ngatërrohet. Herpesi simplex apo fshikëzat herpetike rriten jashtë gojës, nën sipërfaqen e buzës, në vrimat e hundës, ndërsa stomatiti aftoz jo.
Terapia
Edhe në mungesë të trajtimit, dhimbja e fortë ka tendencën të zhduket brenda pak ditësh dhe dëmtimet të shërohen brenda dy javësh. Në aftat mund të jetë e nevojshme të aplikohet një xhel mbrojtës i lidokainës, për anestezinë e dhimbjes dhe të bëhen pastrime me një kolir me bazë clorexedine. Në disa raste indikohet përdorimi i kortisteroideve në nivel lokal. Të rriturit mund të përdorin edhe suspensionin oral të tetraciklinës për ta mbajtur në gojë e për të mos e gëlltitur.
Pyetje esenciale
Ka periudha kur vuani më shpesh nga aftat?
Nevoja juaj për vitamina mbulohet nga një dietë e pasur me fruta e perime të freskëta?
Në prani të stomatitit, dhimbja është aq e rëndë sa ju pengon të hani dhe të pini?
Zeni 25 vjeç, është një student që jeton me dy bashkëmoshatarë. Pi duhan dhe bën një jetë disi të çrregullt sa i përket ushqyerjes dhe aspektit seksual. Prej disa muajsh është i lodhur dhe kalon nga një stomatit në tjetrin, pa asnjë zgjidhje përfundimtare.