Lajm Formues
ADHD: Përhapja, diagnoza dhe trajtimi
Deficiti i vëmendjes dhe hiperaktiviteti (nga anglishtja Attention Deficit Hyperactivity Disorder - ADHD) është çrregullimi më i përhapur i zhvillimit neuropsikik gjatë fëmijërisë. Mund të kompromentojë mirëqenien, marrëdhëniet sociale dhe performancën shkollore të fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga ky çrregullim.
Përhapja dhe shkaqet
Çrregullimi nga deficiti i vëmendjes dhe hiperaktiviteti shfaqet mes moshës 6 dhe 18 vjeç, me një përhapje mes 2 dhe 4% në grupmoshën shkollore. Është një çrregullim i cili nuk ka një prag të përcaktuar në planin biologjik, por në bazë të ndikimit që simptomat e ADHD ushtrojnë në jetën e përditshme të fëmijës zgjidhet edhe pragu për diagnozën. Më i shpeshtë në gjininë mashkullore, çrregullimi mund të derivojë nga një ndryshim neuro-funksional në përgjigjet ndaj sinjaleve të jashtme. Ndryshimi përfshin neuronet në korteksin paraballor dhe ndikon në procesin e frenimit dhe vetë-kontrollit.
Simptomat
ADHD mund të manifestohet me shenja të ndryshme klinike, më klasiket janë hiperaktiviteti, impulsiviteti dhe paaftësia për të qenë i vëmendshwm për një kohë të gjatë. Këto simptoma mund të jenë të pranishme njëkohësisht ose në mënyrë të alternuar te i njëjti fëmijë gjatë rritjes së tij duke limituar zhvillimin normal. Në varësi të spektrit psikologjik, personalitetit të fëmijës dhe ambientit ku ai jeton, simptomat kryesore janë: kujdes i pakët ndaj detajeve, ndryshim i shpeshtë në sjellje, vështirësi për t'u organizuar dhe për të qëndruar në radhë, lehtësi në humbjen e objekteve, hutimi, vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve dhe përfundimin e një aktiviteti, nervozizëm, veprime maniakale dhe me raste agresivitet. Fëmijët hiperaktivë vuajnë edhe nga paaftësia për të menaxhuar rrethanat ambientale, nga ku derivojnë një sërë ndërveprimesh negative me bashkëmoshatarët, prindërit dhe shkollën. Fëmija me ADHD, nuk arrin të dallojë stimujt ambientalë dhe ka një koncept të përshpejtuar të kohës, duke u ekspozuar kështu ndaj ankthit relacional e psikik në moshë madhore.
Diagnoza
Pediatri i familjes ka një rol esencial në diagnozë sepse e njeh fëmijën, përfshihet në të gjitha aspektet që i përkasin zhvillimit të tij dhe është një referim konstant për prindërit. Bashkë me operatorët shkollorë, pediatri është shpesh i pari që ngre hipotezën për praninë e çrregullimit. Pasi përjashton shkaqet organike (defiçit në dëgjim dhe në shikim, hipertiroidizëm etj) ose ambientale (braktisje, abuzim, familje kaotike), të cilat mund të jenë në origjinën e sjelljes së fëmijës hiperaktiv, "American academy of pediatrics" sugjeron 6 pyetje për të bërë në rastet e dyshimta me ADHD:
- Djali/vajza juaj ka probleme sjelljeje në shkollë, shtëpi ose me miqtë?
-Si shkon me mësimet?
- Mësuesi ka raportuar ndonjë problem lidhur me të?
-Ka vështirësi me kryerjen e detyrave?
-Nuk është i kujdesshëm?
-Është i paqetë?
Manuali "Diagnostic and statistical manual of mental disorders" edicioni i pestë, kompleton dy forma të pjesshme diagnozash: hiperaktivitetin impulsiv pa komponentin e pakujdesisë (një formë shumë e rrallë kjo), si dhe ADHD me prevalencë pakujdesinë por pa komponentin e hiperaktivitetit impulsiv. Në bazë të simptomave marrja në ngarkim e pacientit i besohet shërbimeve territoriale të neuro-psikiatërve infantilë në bashkëpunim me qendrën e referimit për vlerësimin diagnostik dhe përshkrimin e mundshëm farmakologjik.
Terapia
Një hap i parë është ofrimi i mbështetjes këshilluese dhe trajnimi konjitiv dhe i sjelljes sepse zhvillimi i fëmijës me ADHD varet edhe nga mënyra se si sillen prindërit dhe të rriturit që janë pikë referimi për të.
Hapi pasues është aktivizimi i raporteve me operatorë të ndryshëm shëndetësorë, duke krijuar një rrjet me strukturat territoriale të neuropsikiatrisë infantile dhe qendrave të specialistëve spitalorë. Për trajtimin e sindromës së deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit është autorizuar dispensimi i disa barnave duke u nisur nga mosha 6-vjeçare.
Pyetje esenciale
A janë simptomat e hiperaktivitetit të përhapura dhe të pranishme në të gjitha kontekstet ku ndërvepron fëmija?
Simptomat kanë pasur një shfaqje të hershme?
Fëmija ka vështirësi në mësime dhe nuk arrin të organizojë kohën e tij në bazë të aktiviteteve që duhet të zhvillojë?
Samueli është një 8-vjeçar që shpesh veçohet nga të tjerët, nuk merr pjesë në lojërat e grupit sepse nuk respekton rregullat dhe nuk arrin të krijojë një marrëdhënie shoqërore me bashkëmoshatarët. Edhe rendimenti shkollor është shumë i ulët krahasuar me pritshmëritë, ndërsa mësuesit ankohen se në klasë hutohet shumë shpesh.
Nën kujdesin e Marvi Tonus
Bibliografia
ADHD: Clinical Practice Guideline for the Diagnosis, Evaluation, and Treatment of Attention-Deficit/Hyperactivity Disorder in Children and Adolescents
DSM5 Attention Deficit/Hyperactivity Disorder