Lajm Formues
Sarkoidoza: shfaqja, shkaqet, trajtimi
Shfaqja
Sarkoidoza mund të manifestohet në mënyra dhe shkallë të ndryshme. Në organet e prekura formohen nyje jo normale të indeve inflamatore, të njohura si granuloma që mund të pengojnë funksionimin e vetë aparatit. Përveç mushkërive dhe nyjeve limfatike lezionet mund të prekin lëkurën, sytë, mëlçinë, veshkat, gjëndrat e pështymës, zemrën, muskujt, kockat dhe sistemin nervor.
Diagnoza dhe trajtimi i hershëm i sarkoidozës mund të ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit, të lehtësojnë simptomat dhe të kufizojnë dëmet në organet e prekura. Shkalla e përkeqësimit varet nga shtrirja, lokalizimi dhe gjendja e aktivitetit të lezioneve granulomatoze.
Shkaqet
Nuk është identifikuar ende një shkak për sarkoidozën. Formimi i granulomave konsiderohet si një reagim imun i mbrojtjes qelizore ndaj stimujve të ndryshëm. Sëmundja ka disa komponentë që trashëgohen, gjenet Hla që lidhen me frekuencë më të madhe me sarkoidozën, por nuk ka ende teste gjenetike që e vërtetojnë këtë.
Simptomat
Simptomat varen nga organet e prekura nga sëmundja. Në pjesën më të madhe të rasteve, sarkoidoza manifestohet me një zmadhim të nyjeve limfatike mediastinale, lodhje, temperaturë të ulët, atralgji. Kur prek mushkërinë lezionet mund të shkaktojnë dispne, kollë të thatë, vështirësi në lëvizje. Në lëkurë granulomat prezantohen si puçrra të vogla të kuqe, ndërsa nëse sëmundja lokalizohet në artikulacione do të krijohet ngurtësi në lëvizje dhe dhimbje. Te sytë mund të çojë në uveitis duke kompromentuar shikimin, ndërsa kur prek sistemin nervor (rrallë) çon në paralizë të nervit facial. Kur lezionet lokalizohen në veshka, shtohet prodhimi i gurëve në veshka. Në zemër sarkoidoza mund të reduktojë aftësinë kontraktuese të muskulit duke dhënë aritmi, bllokime kardiake, perikardit. Diagnoza është e sigurt kur kuadri klinik përkon me diagnozën histologjike të granulomave tipike në organin e përfshirë.
Trajtimi
Spektri i varianteve të mundshme është shumë i lartë, disa shërohen, disa të tjera janë me shumë gjasë fatale nëse nuk trajtohen. Në shumë pacientë granulomat ripërthithen spontanisht, në të tjerë sëmundja bëhet kronike duke krijuar invaliditet ose ri-shfaqet në distancë kohore. Trajtimi bazohet në supresimin e përgjigjeve inflamatore dhe prodhimit të granulomave duke administruar kortikosteroide dhe barna imunosupresive.
Pyetje esenciale
Cilat organe prek sarkoidoza?
Nga çfarë varet përshkallëzimi i sëmundjes?
A mund të shërohet spontanisht?
Manueli 42 vjeç është gjithnjë i lodhur. Me sforcimin minimal i merret fryma, kyçet e këmbëve i ka shpesh të fryra dhe ka dhimbje në artikulacione. Një ekzaminim i gjoksit me rreze X ka evidentuar praninë e nyjeve limfatike të zmadhuara në mediastinum dhe të granulomave.