Lajm Formues
Mastoiditi: simptomat, shkaqet, trajtimi
Simptomat dhe komplikimet
Simptomat kryesore të mastoiditit janë: temperaturë, dhimbje në pjesën e nofullës dhe zonës aurikolare, ënjtje retro-aurikolare, skuqje, ënjtje e lobit, dhimbje koke, dobësi e përgjithshme, reduktim i dëgjimit, rrjedhje e materialit purulent nga kanali i jashtëm i dëgjimit. Procesi inflamator karakterizohet nga depozitimi i qelbit dhe papastërtive të ndryshme në kavitet dhe mund të përhapet nga antrumi mastoid në kavitete të tjera kockore. Mastoiditi akut mund të çojë në paralizën e nervit facial, por një nga komplikimet më të frikshme është përhapja e inflamacionit në brendësi të kafkës me riskun për të shkaktuar absces cerebral. Mastoiditi kronik mund të bëhet shkak për rrjedhje persistente nga veshi.
Shkaqet
Meqë kavitetet mastoide komunikojnë përmes një kanali të shkurtër me daullen e veshit të mesëm, pjesa kockore mund të bëhet objekt i lehtë i inflamacioneve me pasojë otitis media akute ose kronike. Një nga shkaqet kryesore të mastoiditit është mbledhja e lëngut pururlent në daullen e veshit pas një otiti, gjendje që mund të varet edhe nga ngjitja nga faringu e baktereve patogjene nëpërmjet gypave të Eustachio-s.
Trajtimi
Kura e mastoiditit konsiston në administrimin nën kontrollin e mjekut të barnave antibiotike në rrugë sistemike dhe topike në vesh. Kur kjo nuk është e mjaftueshme, mund të ndërhyhet me një mastoidektomi (prerje kirurgjikale e mastoidit) për të kryer gërryerjen e kavitetit, e nevojshme për eliminimin e vatrave të infeksionit.
Pyetje esenciale
· Cilat janë shkaqet e mastoiditit?
· Cilat janë komplikimet e tij?
· Si shërohet?
Xhulio, 6 vjeç, u zgjua me temperaturë, ethe dhe pafuqi. Pjesa e sipërme e mastoidit, prapa veshit është e inflamuar dhe e ënjtur. E ëma mendon se e ka pickuar ndonjë merimangë por pediatri dyshon për mastoidit sepse fëmija vuan shpesh nga otiti.