mar42015
Menopauza: mjekimet për afshet e të nxehtit dhe djersitjen jonormale
Të gjitha gratë e dinë se me menopauzën është e lartë mundësia që të vuajnë nga ndjesitë e papritura të vapës të shoqëruara me djersitje. Por jo të gjitha e dinë se bëhet fjalë për një simptomë që nuk zgjat pak muaj, por me vite të tëra. Nancy Avis nga "Wake forest school of medicine" në Winston-Salem dhe autore e studimit që ka analizuar të dhënat e mbi 1.500 grave. Në bazë të rezultateve të analizës së Avis dhe kolegëve të saj, u zbulua se praktikisht të gjitha gratë e përfshira kishin pasur afshe të nxehti e djersitje dhe këto simptoma kishin zgjatur mesatarisht 7.4 vjet.
"Ka megjithatë diferenca në kohëzgjatje që varen nga faktorë të ndryshëm, por në përgjithësi, sa më shpejt fillojnë simptomat, aq më vonë manifestohen", thotë autorja dhe shton se mes faktorëve që zgjatin kohën e afsheve të nxehta janë mosha e re, ndjeshmëria më e madhe individuale ndaj simptomave, stresi, ankthi dhe depresioni. "Nëse simptomat shfaqen që para menopauzës, kohëzgjatja mesatare është 12 vjet, ndërsa me menopauzën e parakohshme kohëzgjatja është rreth 9.4 vjet", pohon Avis duke nënvizuar se kur simptomat shfaqen pas menopauzës gjërat shkojnë shumë më mirë: vetëm 3 vjet bezdisje nga afshet dhe djersitja.
Nga studimi doli në pah se edhe origjina etnike influencon në këto simptoma: në krye të klasifikimit janë gratë me ngjyrë (rreth 10 vjet) në fund janë gratë kineze dhe japoneze (5.4 dhe 4.8 vjet respektivisht), ndërsa gratë hispanike 8.9 vjet dhe të bardhat 6.4 vjet.
Afshet e të nxehtit: shkaqet dhe mjekimet
Menopauza është mungesa e ciklit menstrual dhe arrin në shumicën e rasteve në moshën 45 deri 55 vjeçare, e shoqëruar nga shumë simptoma si afshet e nxehta dhe djersitje natën, por edhe ndryshimet e humorit, mbi-urinim, probleme me gjumin dhe me jetën intime, të cilat lidhen me ndryshimet fiziologjike si p.sh. thatësia vaginale. Shkaku kryesor i këtyre simptomave është tërmeti i vërtetë hormonal që ndodh me kalimin në menopauzë. Vezoret ndalojnë punën dhe ulen në mënyrë drastike nivelet e estrogjenit dhe hormoneve të tjera të pranishme në të gjithë periudhën fertile të jetës së gruas.
Deri disa dekada më parë, terapia e zëvendësimit të hormoneve ishte zgjidhja më e përdorur për të reduktuar ndikimin e simptomave të menopauzës në cilësinë e jetës të përditshme. Sot, megjithatë, studime të shumta kanë treguar se kjo terapi rrit rrezikun e kancerit të gjirit, si dhe kancerit ovarian, pa harruar se gratë që kanë kaluar një kancer gjiri të mëparshme - dhe ato janë shumë - nuk mund t'i nënshtrohen terapive hormonale të këtij lloji. "Sot ka alternativa të vlefshme", thotë JoAnn Manson, drejtore e departamentit të mjekësisë parandaluese në Brigham dhe Women's Hospital (Spitalin e Grave) në Boston. Për të luftuar afshet e nxehta duhet të mbajmë temperaturën e dhomës të ulët, të pijmë ujë të ftohtë, të jemi fizikisht aktivë, të kemi një peshë normale si dhe të shmangim pirjen e duhanit, alkoolit dhe ushqimet shumë pikante. Nëse kjo është e pamjaftueshme mund të përdorni strategji të tilla si akupunkturë, joga dhe meditim, për të mos harruar se ka edhe trajtime me barna jo-hormonale që mund të ndihmojnë. "Gjëja e rëndësishme është që të konsultoheni me mjekun i cili do të këshillojë trajtimet më të mira për të minimizuar shqetësimet", shton Manson./DICA33