sht282016
Menopauza: cilës kategori i përket?
Tetë në dhjetë gra duhet të bëjnë llogaritë me simptomat vazomotore të menopauzës, të njohura më mirë si afshet e nxehta dhe djersitje gjatë natës. Por karakteristikat e këtyre simptomave të bezdisshme mund të jenë shumë të ndryshme në gra të ndryshme, siç tregojnë rezultatet e një studimi të publikuar së fundi në "Menopause", revista e "North american menopause society".
"Jemi mësuar të mendojmë se afshet e nxehta dhe djersitja zgjatin nga tre në pesë vjet në periudhën e kohës më të afërt me ciklin e fundit menstrual", pohon Rebecca Thurston, drejtore e Women's biobehavioral health lab në Universitetin e Pitsburgut dhe autore e kërkimit. Në të vërtetë këto simptoma vazhdojnë shumë më gjatë, deri në 10 vjet, dhe shfaqen me frekuencë dhe intesitet të ndryshëm në gra të ndryshme.
Dhe rezultatet e studimit të drejtuar në kampione prej rreth 1.500 grash në fakt konfirmojnë këto të dhëna. "Duke ndjekur për 15 vite gra në fazën e tranzicionit mes periudhës fertile dhe menopauzës kemi vëzhguar të paktën 4 tipologji prezantimi të simptomave vazomotore", shpjegon autorja.
Më poshtë janë katër kategoritë e identifikuara:
* Simptoma që fillojnë shumë herët (edhe 11 vjet para ciklit të fundit menstrual), dhe pakësohen pas menopauzës;
* Simptoma që shfaqen pranë periudhës së ciklit të fundit dhe që pakësohen me kalimin e kohës;
* Simptoma që shfaqen shpejt dhe ruhen me frekuencë të lartë;
* Simptoma që vazhdojnë me frekuencë të ulët.
"Duke analizuar të dhënat më në detaj është bërë i mundur identifikimi i disa faktorëve që mund të nxitin afshet e nxehta dhe djersitjen noturne, si obeziteti, prejardhja etnike, niveli i arsimimit dhe zakonet e të ushqyerit", vazhdojnë autorët duke kujtuar për shembull se gratë kineze kanë më shumë gjasë te kenë simptoma në periudhën e kalimit në menopauzë, ndërsa mes atyre që kanë zakon të pinë alkool është më e madhe mundësia që këto simptoma të jenë afatgjata.
"Këto të dhëna duhet t'i shtyjnë kërkuesit të studiojnë më në thellësi shkaqet dhe dinamikat e lidhura me simptomat vazomotore të menopauzës dhe në të njëjtën kohë mund t'i ndihmojnë gratë të kuptojnë se ç'duhet të presin nga ardhja e kësaj faze të re në jetën e tyre", përfundojnë ekspertët.