gus32021
Dioksidi i azotit. Ekspozimi afatshkurtër lidhet me vdekshmërinë
Një shtim, qoftë edhe i vogël i niveleve të dioksidit të azotit në ajër mund të lidhet me shtimin e vdekjeve të përgjithshme apo për shkaqe kardiovaskulare dhe respiratore. Këtë e demonstrojnë të dhënat nga hulumtimi i botuar në British Medical Journal, i cili sugjeron që udhëzimet për cilësinë e ajrit duhet të rishikohen dhe se nevojitet të merren parasysh kufij më të rreptë rregullatorë në lidhje me përqendrimet e këtij ndotësi të zakonshëm të ajrit, të referuar si NO2.
Studimi ofron "dëshmi kyçe" të lidhjeve lineare dhe të pavarura midis ekspozimit afatshkurtër dhe shtimit të rrezikut për tre llojet e vdekshmërisë të përmendura. Për autorët, këto prova sugjerojnë që duke shtrënguar udhëzimet dhe kufijtë rregullatorë të NO2-shit, të cilat nuk mund të reduktohen në zero, mund të kemi përfitime në shëndet. Deri më sot, udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandojnë që nivelet mesatare vjetore të mos i kalojnë 40 μg/m3. Autorët analizuan lidhjet afatshkurtra midis ndotësve dhe vdekjeve të përgjithshme, nga shkaqe kardiovaskulare ose respiratore në vende, ose rajone të ndryshme të botës, pasi studimet e ndryshme në dispozicion kanë modele të ndryshme, shumë prej tyre përfshijnë një mostër të vogël ose marrin në konsideratë një zonë të kufizuar gjeografike. Të dhënat nga studimi i ri, i cili bazohet në përqendrimet ditore të NO2-shit në 398 qytete të 22 vendeve/rajoneve me të ardhura të larta nga viti 1973 deri në 2018-tën, tregojnë se gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 62.8 milionë vdekje, nga të cilat, 31.5% (19.7 milionë) për shkaqe kardiovaskulare dhe 8.7% (5.5 milionë) për shkaqe respiratore. Një rritje e NO2-shit prej 10 μg/m3 një ditë më parë u lidh me një rritje të vdekshmërisë prej 0.46% nga të gjitha shkaqet, 0.37% nga shkaqet kardiovaskulare dhe 0.47%, nga shkaqe respiratore. Kjo lidhje mbeti edhe pas rregullimit të të dhënave sipas ndotësve të tjerë.
Më tej, u vlerësua se 1.23% e vdekjeve në 398 qytete i atribuohen një përqendrimi të NO2-shit mbi zero. "Këto gjetje kontribuojnë në një kuptim më të mirë se si të optimizohen veprimet dhe strategjitë e shëndetit publik për të ulur ndotjen e ajrit", shkruajnë autori kryesor Xia Meng, nga Universiteti Fudan në Shangai dhe kolegët, në përfundim të artikullit. Sidoqoftë, duhet të theksohet se studimi është kryer vetëm në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azinë Lindore, se është një studim vëzhgues dhe se, përveç faktit të ndryshimeve të mundshme në matjen e ndotësve të ajrit ndër vite, mund të ketë gabime në mbledhjen e të dhënave shëndetësore, përfshirë diagnozën.
BMJ 2021. Doi: 10.1136/bmj.n534.
https://doi.org/10.1136/bmj.n534