sht162021
Stërvitja fizike mund të reduktojë ankthin, por me ndryshime ndërmjet gjinive
Sipas një studimi të botuar në Frontiers in Psychiatry, ata që bëjnë rregullisht ushtrime fizike, mund ta reduktojnë me thuajse 60% rrezikun për të zhvilluar ankth. Vlerësohet se çrregullimet e ankthit prekin rreth 10% të popullsisë së botës dhe më së shumti, gratë. Dhe ndërsa një nga këshillat më të zakonshme të propozuara për menaxhimin e ankthit është të bëni ushtrime fizike, pak dihet për ndikimin e dozës, intensitetit ose nivelit të formës fizike të kërkuar nga stërvitja, në zhvillimin e këtyre çrregullimeve.
Për të mësuar më shumë mbi këtë çështje, studiuesit vlerësuan rrezikun për të zhvilluar ankth midis atyre që morën pjesë në garën më të madhe të skive në distanca të gjata në botë, Vasaloppet (që zhvillohet në Suedi), në periudhën 1989-2010. "Duke përdorur të dhëna nga gati 400,000 njerëz, ne zbuluam se grupi me një mënyrë jetese më aktive fizikisht kishte rrezik pothuajse 60% më të ulët për të zhvilluar çrregullime të ankthit gjatë një periudhe ndjekjeje deri në 21 vjet", shpjegon Martina Svensson, nga Universiteti Lund, Suedi, autore e parë e studimit. Kjo lidhje midis një stili jetese fizikisht aktiv dhe një rreziku më të ulët për ankth, u pa te burrat dhe gratë, por ekspertët vunë re një ndryshim të dukshëm në nivelin e performancës fizike në lidhje me rrezikun e zhvillimit të ankthit midis skiatorëve meshkuj dhe femra.
Në fakt, ndërsa performanca fizike e një skiatori mashkull nuk dukej se ndikonte në rrezikun për të zhvilluar ankth, grupi i skiatoreve femra me performancë të lartë kishte një rrezik thuajse dyfish më të lartë për çrregullime të ankthit sesa grupi që ishte fizikisht aktiv në një nivel më të ulët të performancës. "Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se rreziku i përgjithshëm i zhvillimit të ankthit mes grave që bëjnë ski me performancë të lartë ishte akoma më i ulët sesa te gratë më joaktive në popullatën e përgjithshme", vazhdojnë autorët. Sipas ekspertëve, këto gjetje mbulojnë një territor relativisht të paeksploruar për kërkime shkencore, pasi shumica e studimeve të mëparshme janë fokusuar te depresioni ose sëmundjet mendore, kundrejt çrregullimeve të ankthit.
Frontiers in Psychiatry 2021. Doi: 10.3389/fpsyt.2021.714014
https://doi.org/10.3389/fpsyt.2021.714014