jan92015
Pasojat negative të mbidozave të acidit folik në shtatzëni
Rezultatet e një studimi spanjoll të publikuar në revistën "JAMA Pediatrics", kanë treguar se marrja e dozave të larta të acidit folik gjatë shtatzënisë mund të ketë pasoja negative në zhvillimin e aftësive psikomotore të fëmijës në vitin e parë pas lindjes.
Marrja e 400 mcg (0.4 mg) në ditë e acidit folik gjatë shtatzënisë dhe në periudhën para ngjizjes në fakt është shumë e rekomanduar në shumë vende (siç specifikohet në skedat shkencore të vëna në dispozicion në faqen online të AIFA-s) për të parandaluar/reduktuar keqformimet e fetusit, në veçanti defektet e kordonit nervor. Acidi folik luan një rol thelbësor në sintezën e ADN-së dhe në proceset e ndryshme metabolike, prandaj marrja e mjaftueshme e kësaj vitamine është tejet e rëndësishme, veçanërisht gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë, kur ndodh organogjeneza dhe ka një veprimtari të lartë të ndarjes qelizore.
Megjithatë, studimi konfirmoi se fëmijët në moshë 1-vjeçare, të lindur nga nëna që gjatë shtatzënisë kishin marrë doza më të larta të acidit folik se ato të rekomanduara (mbi 1000 mcg/ditë dhe në disa raste deri në 5000 mcg /ditë) kishin rezultate më të ulëta në shkallën psikomotore (referenca ishin Shkallët Bayley të zhvillimit infantil) në krahasim me fëmijët e lindur nga nëna që kishin marrë rregullisht 400 mcg acid folik në ditë.
"Është hera e parë - komentojnë studiuesit - që dalin në dritë efektet e dëmshme të acidit folik gjatë shtatzënisë si pasojë e shtimit të dozave në sasi të mëdha të tij. Studime të mëtejshme afatgjata do të kryhen për të konfirmuar këto rezultate.