nën262024
COPD. Përzierja e argininës me vitaminën C mund të përmirësojë cilësinë e jetës së pacientëve
Nëse një përzierje e argininës dhe vitaminës C do t'i shtohet terapisë standarde të inhalimit, cilësia e jetës së pacientëve që vuajnë nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike mund të përmirësohet ndjeshëm. Në këtë përfundim ka arritur një studim i kryer nga Spitali Luigi Sacco në Milano në bashkëpunim me spitalin Codogno në Lodi.
Sëmundja pulmonare obstruktive kronike rrjedh nga një inflamacion kronik i sistemit të frymëmarrjes i cili ngushton rrugët e saj, duke reduktuar kalimin e ajrit drejt mushkërive dhe kështu shkatërron indin e mushkërive ku bëhet shkëmbimi i oksigjenit me gjakun. Është e rëndësishme që ajo të diagnostikohet që në simptomat e para dhe të mos nënvlerësohet. Vlen për tu përmendur se faktori kryesor i rrezikut për COPD-në vazhdon të jetë pirja e duhanit.
Në studim morën pjesë 150 pacientë me COPD, të cilët u ndanë në mënyrë të barabartë për të marrë një përzierje të argininës dhe vitaminës C ose një placebo. Pas një muaji trajtim, studiuesit vunë re një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e jetës së pacientëve, të matur nëpërmjet një indeksi që ndër të tjera, merr parasysh dispnenë, ndjesinë e lodhjes dhe aftësinë për të kryer aktivitete normale të përditshme.
"Të dhënat tregojnë qartë se përzierja e argininës dhe vitaminës C kur i shtohet terapisë standarde të inhalimit në një fazë klinikisht të qëndrueshme, mund të nxisë një përmirësim të cilësisë së jetës së pacientëve me COPD", thekson Pierachille Santus, autori kryesor i studimit.
"Në mënyrë që të mund të identifikojmë faktorët parashikues të përgjigjes klinike ndaj përzierjes së argininës dhe vitaminës C, nevojiten studime më të detajuar në të ardhmen", përfundon eksperti.