jan272015
Trajtimi me progesteron nuk ofron asnjë përfitim te pacientët me trauma kokë
Dy studime të përmbyllura së fundi kanë treguar se progesteroni nuk ofron asnjë përfitim për pacientët me lëndime të rënda cerebrale (TBI - Traumatic Brain Injury). Eksperimentet klinike, të dyja të publikuara në "New England Journal of Medicine", ngrenë pyetje serioze mbi mënyrën më të mirë për të kryer studimet e ardhshme mbi trajtimet e traumave në kokë.
Në studimin e parë klinik (Synapse) Brett Skolnick dhe kolegët e tij regjistruan 1.195 pacientë të cilët ishin shtruar në qendrat e traumave në 21 vende, si rezultat i TBI-ve të rënda. Pacientëve iu ishin caktuar në mënyrë rastësore progesteron në rrugë intravenoze ose placebo, të cilët filluan trajtimin brenda 8 orësh nga pësimi i lëndimeve, për 120 orë në total. Studiuesit më pas ndoqën pacientët për 6 muaj dhe vlerësuan shërimin e tyre. "Aspekti i vetëm i metodologjisë së vlerësimit ishte ai përdorimit të prognozave të ndryshme për të klasifikuar pacientët në tre grupe: ata me rezultate negative, të ndërmjetme dhe pozitive", thotë Skolnick.
Përqindja e pacientëve me rezultate që ishin përgjithësisht të favorshme nuk ndryshonte mes grupeve që kishin marrë placebo dhe progesteron (përkatësisht 50.4% dhe 50.5%).
Kjo mungesë diferencimi u vu re edhe për analizën sekondare. Skolnick vëren se përqindja e pacientëve që kishin vdekur apo që ishin në një gjendje të vazhdueshme vegjetative ishin në thelb identike (22,2% pas trajtimit me progesteron në krahasim me 22,3% pas trajtimit me placebo).
Një pjesë e konsiderueshme e dëmit të shkaktuar nga TBI lind nga proceset fizike dhe biokimike që ndodhin orë ose ditë pas një rasti lëndimi. Prandaj, arsyetimi në bazë të provave të mbledhura ishte që të administrohej progesteroni në fillim duke menduar se mund të parandalonte ose të zbute dëmtimin sekondar, duke përshpejtuar kështu shërimin.
Në studimin PROTECT III, i cili u zhvillua paralelisht me studimin Synapse, David Wright dhe kolegët e tij regjistruan pacientët e 22 qendrave në Shtetet e Bashkuara. Studiuesit iu administruan progesteron ose placebo pacientëve brenda katër orëve të para pas lëndimit.
Ata vëzhguan rezultate të favorshme në 51% të pacientëve të trajtuar me progresteron pas TBI, në krahasim me 55.5% të kontrolleve. Por, kategorizimi i pacientëve mbi bazën e shkallës të lëndimeve nuk tregoi ndonjë efekt të progesteronit në shërim sipas shkallës së lëndimit.
Sipas autorëve të dy studimeve është e qartë se progesteroni nuk përfaqëson një alternativë të vlefshme trajtimi për pacientët me TBI të rëndë./AIFA