Farmaci

dhj102015

Supostet vaginale me progesteron nuk e parandalojnë abortin spontan

Një studim i publikuar në "New England Journal of Medicine" sugjeron se shtimi i progesteronit në supostet vaginale nuk është efikas ashtu siç mendohej te gratë shtatzëna në fillim të shtatzënisë së tyre. Dihet se hormoni përgatit muret e mitrës për të pritur vezën e fertilizuar dhe qe sugjeruar se përqendrime të ulëta të progesteronit mund të çonin në abort spontan. Nga kjo mendohej se shtimi lokal i hormonit ndikonte në shtimin e numrit të lindjeve të gjalla dhe mbijetesën neonatale veçanërisht mes grave me aborte të mëparshme spontane për shkaqe të panjohura. 
Por rezultatet e kurës kanë qenë gjithnjë të pasigurta dhe për t'i qartësuar Arri Coomarasamy profesor në "College of Medical and Dental Sciences" në Universitetin e Birminghamit, bashkë me kolegët rekrutuan 826 gra me aborte spontane periodike duke i ndjekur ato për pesë vjet. Studimi PROMISE, i drejtuar prej tyre parashikonte ndarjen e pjesëmarrëseve në grupin që do të merrte suposte vaginale me bazë progesteroni dhe grupin që do të merrte placebo. Trajtimi niste brenda javës së gjashtë të shtatzënisë dhe vazhdonte për 12 javë.
 "Rezultatet tregojnë se norma e lindjeve të gjalla pas 24 javësh shtatzëni ishte 65.8% në grupin e progesteronit në krahasim me 63.3% në grupin e placebos", thonë studiuesit duke nënvizuar mungesën e diferencave domethënëse mes dy grupeve sa i takon shtatzënisë ektopike, abortit spontan dhe të lindurve të vdekur.
 "Shpresonim që PROMISE të konfirmonte njëherë e përgjithmonë progesteronin si një trajtim efikas kundër abortit spontan, por nuk ndodhi kështu", thotë Coomarasamy, profesor në "Institute of Metabolism and Systems Research" në Universitetin e Birminghamit. Megjithatë ai nënvizon një sërë aspektesh pozitive, mes të cilave mungesën e efekteve anësore të terapisë lokale në gratë shtatzëna dhe fëmijët e tyre.
"Mundet që supostet e progesteronit të tregohen efikase në patologji të tjera, si p.sh. në parandalimin e abortit spontan te gratë shtatzëna me metrorrhagi të hershme, pra ky nuk është fundi i rrugës", përfundojnë studiuesit, duke shtuar se PROMISE ka krijuar një rrjet solid mjekësh, infermierësh dhe mamish në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe se kjo pasuri njohurish dhe informacionesh të fituara deri tani do të jetë e çmuar për të vazhduar kërkimet në këtë fushë. 

N Engl J Med. 2015. doi: 10.1056/NEJMoa1504927
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26605928


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC