kor162018
Përdorimi i antibiotikëve për një kohë të gjatë, shton rrezikun e vdekjes te gratë e moshuara
Gratë e moshuara që raportojnë se kanë përdorur antibiotikë për një kohë të gjatë, shfaqin një rritje në normën e vdekshmërisë për të gjitha shkaqet, dhe përqindje dukshëm më të lartë të vdekshmërisë për arsye kardiovaskulare, krahasuar me ato që nuk përdorin antibiotikë.
"Përdorimi i antibiotikëve është i lidhur me ndryshime të mikrobiomës intestinale që mund të zgjasin për vite të tëra dhe infeksionet e rezistencës ndaj antibiotikëve mbeten një shqetësim gjithnjë në rritje. Megjithatë, asnjë studim kohorte i mëparshëm nuk ka shqyrtuar se si kohëzgjatja e përdorimit të antibiotikëve në moshë të rritur, ndikon në normën e vdekshmërisë", shpjegon Yoriko Heianza (Universiteti Tulane në Nju Orleans), autore kryesore e studimit. Në studim, janë përfshirë 37.516 gra, 60 vjeç e lart, që kanë sinjalizuar se përdorin antibiotikë, gjatë studimit "Nurses' Health" 2004-2012 dhe që nuk shfaqnin sëmundje kardiake apo kancer, në kontrollin bazë.
Kështu, studiuesit kanë vënë re se gratë që kishin përdorur antibiotikë për dy ose më shumë muaj, kishin një rritje prej 27% në mundësinë e vdekjes nga të gjitha shkaqet dhe deri në 57%, për vdekje nga shkaqe kardiovaskulare, krahasuar me ato që nuk kishin deklaruar përdorim të antibiotikëve, edhe pas marrjes parasysh të faktorëve si statusi i sëmundjes, indikacioni për antibiotikë, përdorimi i tyre në moshën mesatare të rritur, faktorët demografikë, indeksi i masës trupore, stili i jetesës dhe faktorët e lidhur me dietën. Studimi, me një natyrë vëzhguese, natyrisht, nuk mund të tregojë marrëdhënie shkaku dhe efekti, por autorët thonë se antibiotikët mund të shkaktojnë një shtim të vdekshmërisë përmes mekanizmave të ndryshëm, për shembull, duke shkaktuar zgjatjen e intervalit QT dhe duke stimuluar përhapjen dhe aktivitetin e makrofagëve, që mund të shkaktojnë aterosklerozë ose të kenë efekte negative në florën e zorrëve.
American Heart Association
http://www.heart.org/HEARTORG