nën152019
Shtyhet sërish gjyqi ndaj Nadir Caushollit
Të mërkurën pritej të zhvillohej seanca gjyqësore ndaj administratorit të kompanicë CFO Pharma. Prokuroria ka kërkuar dënim me burg, pasi akuzohet për mashtrim dhe nga kontrollet që bëri Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, u konstatua se CFO Pharma kishte falsifikuar pullën e Agjencisë së Barnave duke e shitur medikamentin soludamin me një çmim 18 herë më të lartë se sa ishte përcaktuar.
Pasi zvarriti seancën e datës 5 nëntor për shkak të mosparaqitjes së tij, seanca e radhës ishte njoftuar në datën 13 nëntor, por këtë herë shkak janë bërë avokatët e tij. Ata kanë kërkuar kohë shtesë për paraqitjen e provave.
Pas dorëzimit të dosjes në gjykatë në muajin tetor, gjyqtari Albert Meçe, ende nuk ia ka dalë të shprehet me vendim paraprak, mbi hetimin e zhvilluar ndaj Nadir Çaushollit.
Në dosjen e prokurorisë, rezulton që mbi Nadir Çaushollin rëndojnë tre akuza për veprat penale: "Mashtrim", kryer më shumë se një herë, "Manipulim i tregut" dhe "Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve", kryer më shumë se një herë.
Alma Demiraj