Farmaci

pri172020

Ondansetroni efikas te fëmijët. Ndalon të vjellat, shmang shtrimet në spital dhe dehidratimin

Sipas një rishikimi të provave dhe meta-analizave të publikuara në "Pediatrics", ondansetroni do të ishte antiemetiku më i mirë për të ndaluar të vjellat, për të shmangur shtrimin në spital dhe për të parandaluar nevojën për rehidrim intravenoz te fëmijët me diarre akute dhe gastroenterit.
"Ne kemi vlerësuar 24 studime të kontrolluara, me përzgjedhje rastësore, të cilat krahasuan efikasitetin dhe sigurinë e disa antiemetikëve, përkatësisht: metoclopramide, ondansetron, domperidone, dexamethasone, dimenhydrinate dhe granisetron, në një numër të përgjithshëm prej 3.482 fëmijësh me diarre akute dhe gastroenterit", shpjegon Ivan Florezi (Universiteti i Antioquia, në Medelin, Kolumbi), i cili drejtoi ekipin.

Studiuesit vëzhguan se ondansetron kishte efektin më të madh në krahasim me placebon, sa i përket ndalimit të të vjellave (raporti [OR] 0.28; cilësi e lartë e provave) dhe për shtrimin në spital (OR 2.93; cilësi mesatare e provave). Ondansetroni ishte gjithashtu i vetmi antiemetik në gjendje të reduktonte nevojën për rehidrim intravenoz, përveçse kishte një profil të mirë sigurie. Asnjë provë nuk u gjet për të mbështetur përdorimin e antiemetikëve të tjerë për të ndaluar të vjellat dhe për të parandaluar shtrimin në spital, madje efektet e këtyre barnave u klasifikuan si "të ngjashme ose potencialisht të ngjashme" me placebon në të gjitha rezultatet e efikasitetit. Ekspertët tregojnë se përdorimi i antiemetikëve te fëmijët me diarre akute dhe gastroenterit është i diskutueshëm. Udhëzimet aktuale të praktikës klinike (CPG) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe Ekselencës së Kujdesit dhe Akademisë Amerikane të Pediatrisë, në fakt, nuk e rekomandojnë përdorimin e tyre.

Tjetër mendim shprehin udhëzimet e Shoqatës Evropiane për Gastroenterologji Pediatrike, Hepatologji dhe Ushqyerje, e cila e rekomandon ondansetronin për këtë patologji te fëmijët. Sipas autorëve të rishikimit, kjo mosmarrëveshje mund të ndodhë për shkak të mungesës së linjave të përditësuara të praktikës klinike në organizata që nuk rekomandojnë përdorimin e antiemetikëve, kështu që provat e fundit nuk janë marrë parasysh. "Në këtë drejtim, rezultatet tona mund të jenë vendimtare për përditësimet e ardhshme", përfundojnë studiuesit.


Pediatrics 2020. Doi: 10.1542/peds.2019-3260
https://doi.org/10.1542/peds.2019-3260


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC