pri172020
Covid-19, Aifa autorizon eksperimentimin me colchicine
Agjencia Italiane e Barnave ka autorizuar një studim të ri, Colvid-19, për testimin e barnave në trajtimin e Covid-19, për të vlerësuar efikasitetin dhe sigurinë e colchicines, një medikament i indikuar për përdhesin dhe për çrregullimet me bazë vetë-inflamatore.
Ky është një studim shumëqendror italian, me përzgjedhje rastësore, i fazës II, që do të vlerësojë nëse bari mund të përfaqësojë një terapi të vlefshme te pacientët me Covid-19, në gjendje të rëndë.
Popullsia e studimit përbëhet nga pacientë me pneumoni nga Covid-19 me mungesë ngopjeje me oksigjen dhe që kërkojnë asistencë me shtrim në spital. Studimi është koordinuar nga spitali i Peruxhës, nën kujdesin e Shoqatës Italiane të Reumatologjisë (SIR), Shoqatës Italiane të Sëmundjeve Infektive dhe Tropikale (SIMIT) dhe Shoqatës Italiane të Pneumologëve Spitalorë (AIPO).
Eksperimenti Colvid-19 mori mendimin pozitiv të Komitetit Etik në "Inmi Spallanzani", më 11 Prill. Ndër studiuesit kryesorë, janë Roberto Gerli, Massimo Andreoni dhe Venerino Poletti.
Colchicine, thuhet në protokoll, "është një medikament jo i kushtueshëm antiinflamator, i administruar në mënyrë orale, në bazë të të cilit qëndron bima e xherrokullit (emri shkencor: Colchicum), ose siç quhet ndryshe, krokus, që është përdorur prej shekujsh".