Farmaci

qer252020

Trajtime më të shkurtra dhe të personalizuara; kështu mund të luftohet rezistenca ndaj antibiotikëve

Një trajtim me antibiotikë me kohëzgjatje të reduktuar, akoma më mirë nëse personalizohet, mund të jetë efektiv në trajtimin e bakteremisë po aq sa një periudhë më e gjatë trajtimi, sipas një studimi të botuar në "Jama". "Shtimi i rezistencës ndaj antibiotikëve dhe mungesa e barnave të reja të kësaj klase është aktualisht një problem serioz shëndetësor global. Reduktimi i përdorimit të antibiotikëve duket se është një nga zgjidhjet e pakta për të ruajtur efikasitetin e tyre dhe për të kufizuar shfaqjen e rezistencës", shpjegon Angela Huttner, nga Universiteti i Gjenevës, Zvicër, e cila drejtoi grupin e punës. "Ciklet relativisht të gjata të trajtimit mbeten standardi i kujdesit, ndonëse ato bazohen më shumë në traditën mjekësore sesa në prova të ngurta shkencore", vazhdon ajo.

Hulumtuesit studiuan 500 pacientë të pranuar në tre spitale zvicerane për të vlerësuar nëse në rastin e bakteremisë ishte i mundur një menaxhim më i shkurtër, i cili do të kishte më pak të ngjarë të shkaktonte probleme rezistence sesa trajtimi standard, i cili përbëhet nga një cikël 14-ditor antibiotikësh, edhe nëse gjendja e pacientit përmirësohet me shpejtësi. Një grup pacientësh (grupi i kontrollit) mori ciklin e zakonshëm 14-ditor të antibiotikut, një grup i dytë mori të njëjtin antibiotik, vetëm për shtatë ditë dhe një grup i tretë i mori antibiotikët për një kohëzgjatje të personalizuar, në varësi të nivelit të inflamacionit të secilit pacient, të përcaktuar me një matje ditore të proteinës reaktive C.

Të dhënat tregojnë se një kohëzgjatje e reduktuar përgjysmë e trajtimit është po aq e efektshme. Për më tepër, u zbulua se rregullimi i regjimit të antibiotikut bazuar në karakteristikat individuale të secilit pacient dhe modelet e sëmundjes, mund të ulë më tej dozën e barit, pa humbje të përfitimit terapeutik. Autorët theksojnë se parimi i një "zgjidhjeje unike për të gjithë" është gjithnjë e më pak i vërtetë në mjekësi dhe karakterizimi i bioshënjuesve të inflamacionit mund të çojë në trajtime vërtet të personalizuara, duke kufizuar gjithnjë e më shumë rrezikun e rezistencës. "Si hap të parë, tani për tani ne mund të rekomandojmë uljen e trajtimit të bakteremisë në shtatë ditë", përfundojnë studiuesit.

 

Jama 2020. Doi: 10.1001/jama.2020.6348
https://dx.doi.org/10.1001/jama.2020.6348


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC