tet62021
Barnat. OBSH-ja përditëson Listën Esenciale të Barnave
Katër barna kundër kancerit, përfshirë një posaçërisht për pacientët pediatrikë, një antibiotik i gjeneratës së re kundër infeksioneve rezistente dhe barna të ndryshme të reja për diabetin, siç janë analogët e insulinës. Këto janë disa nga risitë e sjella nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Listën Esenciale të Barnave, e cila sapo është rishikuar.
Një ndër shqetësimet kryesore të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, është ai i rritjes së qasjes në trajtimin për diabetin, një sëmundje "në rritje globale". "Shumë njerëz që kanë nevojë për insulinë, shpjegon Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, kanë vështirësi financiare për të patur qasje ndaj saj dhe nuk e marrin e vdesin". Përfshirja e analogëve të insulinës, të cilët kanë një kohëzgjatje më të gjatë veprimi (degludec, detemir dhe glargine) në Listën Esenciale të Barnave dhe zgjerimi i përdorimit të biosimilarëve "është një hap thelbësor për t'u siguruar që të gjithë ata që kanë nevojë për këtë terapi shpëtuese të jetës, ta kenë atë".
Vëmendje e veçantë iu është kushtouar tumoreve, të cilat shkaktuan afro 10 milionë vdekje në vitin 2020, nga të cilat 7 nga 10 në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme". Për të promovuar përdorimin e barnave të reja që synojnë karakteristikat specifike molekulare të tumorit, me rezultate më të mira se kimioterapia, OBSH-ja shtoi në listë: enzalutamide për kancerin e prostatës; everolimus, për një lloj tumori të trurit te fëmijët; ibrutinib për leuceminë limfocitike kronike dhe Rasburicase, për sindromën e lizës tumorale, komplikacion i rëndë i disa trajtimeve onkologjike.
Përveç kësaj, janë shtuar indikacione të reja për kanceret e fëmijërisë për 16 barna tashmë në listë, përfshirë gliomën e gradës së ulët, formën më të zakonshme të tumorit të trurit te fëmijët.
Ndër antibiotikët e rinj, në listën e OBSH-së është përfshirë cefiderocoli, një antibiotik efektiv kundër baktereve shumë rezistente.