maj62022
Menopauza. Estradioli në formë ovulash vepron në mikrobiotën vaginale dhe përmirëson simptomat
Sipas një studimi të botuar në JAMA Network Open, ovulat e estradiolit nxisin ndryshime të rëndësishme në mikrobiotën vaginale të grave pas menopauzës në krahasim me placebon ose me kremin hidratues, me një efekt të krahasueshëm në reduktimin e simptomave shqetësuese për shkak të thatësisë vaginale.
Reduktim i ndjeshëm i simptomave: ndikim në mikromjedis
"Të dhënat nga MsFLASH (Menopause Strategies-Finding Lasting Answers and Health), një eksperimentim me përzgjedhje rastësore dhe i kontrolluar mbi shëndetin vaginal dhe trajtimin e simptomave vaginale të moderuara deri në të rënda të menopauzës, nuk zbuluan dallime të rëndësishme në reduktimin e simptomave te gratë që përdornin ovula estradioli ose krem hidratues vaginal, në krahasim me bashkëmoshataret e tyre që përdorën placebo: të treja grupet patën një reduktim të simptomave vaginale", shpjegon autorja kryesore, Sujatha Srinivasan nga Qendra e Kancerit Fred Hutchinson në Siatëll, duke shtuar megjithatë se ndikimi i këtyre trajtimeve në mikromjedisin vaginal është ende i dobët. Për më tepër, prania ose mungesa e ndryshimeve mund të ketë implikime përtej simptomave, ndoshta të lidhura me rrezikun e kancerit të qafës së mitrës, infeksioneve gjenitale ose sëmundjeve të tjera, megjithëse studimi nuk i vlerësoi këto lidhje. Pjesëmarrëset ishin gra në postmenopauzë me një moshë mesatare 61 vjeçe dhe simptoma të moderuara deri në të rënda gjenitourinare të regjistruara ndërmjet prillit 2016 dhe shkurtit 2017 dhe të përzgjedhura në mënyrë rastësore për të marrë ovula të estradiolit vaginal plus krem placebo, ovula placebo plus krem hidratues vaginal ose placebo të dyfishtë. Masa kryesore e efektivitetit ishte përmirësimi i simptomave shqetësuese, si: dhimbje gjatë penetrimit, thatësi vaginale, acarim dhe kruajtje vulvovaginale. Anasjellas, parametrat e konsideruar nga një analizë dytësore ishin ndryshimet në diversitetin dhe përbërjen e mikrobiotës, të metabolomit dhe të pH vaginal.
Përfitimet e mikrobiotës me mbizotërim të Lactobacillus-it
"Një mikromjedis vaginal me një bollëk laktobacilesh, përqendrime të larta të laktatit dhe pH të ulët është i lidhur si me shëndetin para menopauzës, ashtu edhe me një incidencë të ulët të inflamacionit, por aktualisht nuk kemi informacion specifik se si kjo është e dobishme në postmenopauzë. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për studime të ardhshme që synojnë të kuptojnë përfitimet e mundshme të mikrobiotës me mbizotërim të Lactobacillusit te gratë pas menopauzës", përfundon Srinivasani.
JAMA Network Open 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.5032
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.5032