qer12022
Antivirali Covid Paxlovid. Cilat janë ndërveprimet me medikamentet dhe suplementet
Duhet mbledhur informacioni i nevojshëm mbi ndërveprimet e mundshme të kombinimit të antiviralëve nirmatrelvir/ritonavir (Paxlovid), për trajtimin e Covid-19 me barnat dhe suplementet ushqimore më të zakonshme në mbështetje të mjekëve dhe farmacistëve për monitorimin e terapive të vazhdueshme para se pacientëve t'u jepet medikamenti anti-Covid.
Me këtë qëllim, Shoqëria Amerikane e Sëmundjeve Infektive (IDSA) ka botuar së fundi një udhëzues të përditësuar mbi ndërveprimet e mundshme midis Paxlovid-it dhe 100 barnave më të përshkruara. Udhëzuesi ka edhe rekomandimin që para se të japin medikamentin, mjekët dhe farmacistët të zbulojnë se çfarë medikamentesh dhe suplementesh marrin pacientët.
Statinat, antiaritmikët dhe medikamentet kundër migrenës: barnat që duhen mbajtur nën vëzhgim
Ndër të tjera në udhëzim përmendet edhe shqetësimi i shoqatës në lidhje me mospërshkrimin e terapisë së re anti-Covid nga frika e ndërveprimeve edhe me barnat e përdorura rëndom. Në shumicën e rasteve, strategjia që duhet ndjekur është ulja e dozës së terapisë aktuale aty ku është e mundur, ose monitorimi i çdo efekti, nëse shfaqet. Në fakt, nga 100 barnat më të përshkruara, vetëm dy kanë ndërveprime shumë të rëndësishme që kërkojnë shmangien e kombinimit nirmatrelvir/ritonavir, antikoagulanti rivaroxaban dhe salmeteroli kundër astmës.
Një shembull i ndërveprimit të barnave ka të bëjë me dy statina të përdorura gjerësisht për sëmundjet kardiake: lovastatina dhe simvastatina. Ky, shpjegojnë autorët, është një ndërveprim që mund të menaxhohet thjesht duke ndërprerë medikamentet brenda 5 ditëve nga terapia standarde me Paxlovid. Një tjetër grup barnash që duhen pasur parasysh, janë antiaritmikët, shumica e të cilëve janë të kundërindikuar me Paxlovid-in, shpjegojnë ekspertët e IDSA-s. Ekzistojnë gjithashtu ndërveprime të rëndësishme me një sërë medikamentesh antitumorale dhe, në këtë rast, konsultimet me onkologët janë thelbësore. Për më tepër, njerëzit që kanë kryer transplantime ka të ngjarë të marrin medikamente që kanë ndërveprime të rëndësishme me ritonavirin. Njerëzit që marrin medikamente kundër migrenës (dihidroergotaminë, ergonovinë, ergotaminë, metilergonovinë) nuk mund të marrin Paxlovid. Për më tepër, kolkicina mund të mos merret gjatë marrjes së Paxlovid-it, por në rrethana të caktuara mund të menaxhohet me një reduktim të konsiderueshëm të dozës.
Doza e barnave duhet të ndryshojë për 5 ditë
Disa barna të shëndetit mendor mund të menaxhohen gjithashtu gjatë trajtimit me Paxlovid: për shembull, për medikamentin antipsikotik quetiapine, efekti i të cilit përforcohet, është e nevojshme të reduktohet vetëm doza ditore. Sildenafili, i marrë për hipertensionin pulmonar dhe për rrjedhojë në doza shumë të larta, e bën të kundërindikuar kombinimin me Paxlovid-in, ndërsa doza për mosfunksionimin erektil mund të menaxhohet në mënyrë të sigurt.
Në fund, i duhet kushtuar vëmendje ndërveprimit të kontraceptivëve hormonalë oralë, veprimi i të cilëve mund të anulohet dhe për këtë arsye gjatë gjithë trajtimit me Paxlovid këshillohet përdorimi i metodave të tjera kontraceptive. Së fundi, është thelbësore që mjekët të jenë në dijeni të funksionit renal të pacientëve. Kështu, është i nevojshëm reduktimi i dozës së medikamentit nëse pacientët kanë funksion të dëmtuar renal.
Udhëzimet e IDSA-s
https://www.idsociety.org/globalassets/idsa/practice-guidelines/covid-19/treatment/idsa-paxlovid-drug-interactions-resource-5-6-22-v1.1.pdf