nën22022
Si parandalohet demenca me një medikament antidiabetik
Sipas një studimi të botuar në BMJ Open Diabetes Research & Care, te pacientët me diabet të tipit 2, terapia me tiazolidinedion shoqërohet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës, krahasuar me përdorimin vetëm të metforminës. Në anën tjetër, përdorimi i sulfonilureatit duket se e shton këtë rrezik.
"Përdoruesit e sulfunilireatit mund të jenë në rrezik më të lartë për të zhvilluar demencë, në krahasim me përdoruesit e metforminës ose tiazolidinedionit. Prandaj, është i rëndësishëm monitorimi i rregullt i funksionit konjitiv për këtë popullatë", shkruajnë studiuesit.
Hulumtimi mbi të ashtuquajturin ripërdorim të barnave të diabetit për trajtimin dhe parandalimin e demencës ka nisur nga fakti se të dy sëmundjet ndajnë disa modele patofiziologjike. Megjithatë, studimet e popullsisë dhe provat klinike janë të kufizuara dhe rezultatet e disponueshme nuk janë përfundimtare.
Studiuesit kryen një studim vëzhgues prospektiv duke përdorur të dhënat mjekësore elektronike, të marra nga Veterans Affairs Healthcare System, me afro 560,000 njerëz me diabet të tipit 2, të cilët kishin filluar të merrnin barna antidiabetike midis 2001 dhe 2017 dhe ishin të paktën 60 vjeç.
Bazuar në llojin e terapisë që merrnin, pjesëmarrësit u ndanë në grupe, ata që përdornin monoterapi sulfunilireati, tiazolidinedion ose metforminë (grupi i kontrollit).
Shkalla e demencës nga të gjitha shkaqet ishte 8.2 raste për 1000 vite/njerëz. Pas një viti trajtimi, terapia me tiazolidinedion u shoqërua me një rrezik 22% (raporti i rrezikut 0.78) më të ulët për të zhvilluar demencë, krahasuar me terapinë me metforminë, dhe 11% më të ulët se terapia e dyfishtë: metforminë dhe tiazolidinedion (raporti i rrezikut 0.89). Nga ana tjetër rreziku rritej me 12% nëse terapia përfshinte sulfunilireat (raporti i rrezikut 1.12).
Doli gjithashtu se disa lloje pacientësh përfituan më shumë. Në veçanti, në krahasim me terapinë vetëm me metforminë, efektet mbrojtëse të një viti terapie vetëm me tiazolidinedion ose së bashku me metforminë ishin më domethënëse te pacientët që ishin më pak se 75 vjeç ose ishin mbipeshë ose obezë (indeksi i masës trupore > 25 kg/m2) krahasuar me ata me moshë më të avancuar ose me indeks normal të masës trupore.
"Studimet e ardhshme për ripozicionimin e agjentëve antidiabetikë oralë për parandalimin e demencës mund të marrin në konsideratë prioritizimin e tiazolidinedioneve", thonë studiuesit.
BMJ Open Diabetes Research & Care 2022. Doi: 10.1136/bmjdrc-2022-002894.
http://dx.doi.org/10.1136/bmjdrc-2022-002894