shk12023
Antibiotikët, EMA: përparime mbi mungesën e amoksicilinës. Masat lehtësuese
Masat lehtësuese të aplikuara në lidhje me prodhimin e antibiotikëve po ndihmojnë në përmirësimin e situatës së krijuar si pasojë e mungesës së amoksicilinës
Rritja e numrit të infeksioneve, së bashku me problemet e tjera, ndër të cilat vonesat dhe vështirësitë e kapacitetit prodhues, kanë çuar në mungesë të antibiotikëve me bazë amoksiciline në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së, por masat lehtësuese që po aplikohen po ndihmojnë në përmirësimin e situatës. Kjo është ajo që doli nga takimi i Grupit Drejtues Ekzekutiv të EMA-s për mungesat dhe sigurinë e barnave (MSSG), i cili është mbajtur së fundi për të diskutuar dhe për të rënë dakord për hapat që do të hidhen në të ardhmen për t'iu përgjigjur mungesës së vazhdueshme të antibiotikëve me përmbajtje amoksiciline (vetëm dhe të kombinuar me acidin klavulanik). MSSG-ja përbëhet nga përfaqësues të EMA-s, zyrtarë të Komisionit Europian dhe drejtues të Agjencive të Barnave (HMA).
Masat po japin frytet e tyre
MSSG-ja dhe grupi i saj i punës (SPOC-Medicines Shortages Single Point of Contact) kanë monitoruar nga afër situatën që nga muaji nëntor 2022 dhe janë angazhuar së bashku me aktorët kryesorë të zinxhirit të furnizimit me amoksicilinë për të sjellë masat e mundshme lehtësuese. Të dhënat janë siguruar nga Shtetet Anëtare nëpërmjet SPOC, shoqatave të industrisë dhe palëve të interesuara, duke bërë të mundur kuptimin e qartë dhe të përditësuar të situatës aktuale.
Pas mbledhjes MSSG-ja doli në përfundimin se për momentin gjendja aktuale nuk konsiderohet serioze dhe se masat lehtësuese që janë duke u aplikuar po e ndihmojnë situatën e furnizimit në terma afatshkurtër.
Në dritën e përmirësimeve të vërejtura për disa tregues nga shtetet e ndryshme anëtare, MSSG-ja është e mendimit se masat e marra sot në të gjithë BE-në po japin rezultat dhe se ajo do vazhdojë të jetë e angazhuar për vazhdimin dhe rritjen e këtyre përpjekjeve në mënyrë që të arrihet zgjidhja në kohë të problemit. MSSG-ja do të vazhdojë bashkëpunimin gjatë gjithë vitit në të gjithë BE-në për të shmangur problematikat në sezonin e ardhshëm të dimrit. Për më tepër, është theksuar rëndësia e përdorimit të ndërgjegjshëm të antibiotikëve, për të ruajtur efikasitetin e tyre dhe për të shmangur rezistencën antimikrobike.
Përshkrimi i duhur i antibiotikëve
Antibiotikët, përfshirë amoksicilinën, duhet të përshkruhen vetëm për trajtimin e infeksioneve bakteriale. Ata nuk janë të përshtatshëm për trajtimin e infeksioneve virale si ftohja dhe gripi në rastet kur nuk janë efektive.
Rregullatorët e BE-së janë takuar me aktorët kryesorë në zinxhirin e furnizimit me amoksicilinë për të ofruar mbështetje rregullatore e cila do të rrisë kapacitetin e prodhimit, për shembull përmes procedurave të shpejta për të zbatuar ndryshime në burimet alternative të lëndëve të para, vendet e prodhimit, materialet e paketimit dhe rishikuan aftësinë për të rritur furnizimin për të përmbushur nevojat imediate të shteteve.
EMA ka marrë reagime pozitive nga prodhuesit kryesorë dhe oferta pritet të rritet (për shembull, përmes furnizimit shtesë dhe rritjes së kapacitetit prodhues) në muajt e ardhshëm. Për më tepër, shumë autoritete kombëtare në Shtetet Anëtare kanë arritur të lehtësojnë disa mangësi duke përdorur fleksibilitete rregullatore, siç është furnizimi i jashtëzakonshëm me disa barna që mund të mos jenë të autorizuara ose të jenë përjashtuara plotësisht ose pjesërisht nga kërkesat e caktuara të etiketimit dhe paketimit të barnave.
Shtetet e Bashkimit Europian presin që piku i infeksioneve të fillojë të lehtësohet së shpejti, gjë e cila do të zvogëlojë kërkesën për antibiotikë. Përveç kësaj, grupi i punës i kujton pacientëve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor se në shumicën e rasteve, nëse një medikament i caktuar është në mungesë, ai mund të zëvendësohet me alternativa të tjera të cilat janë të disponueshme.
Cristoforo Zervos
https://www.ema.europa.eu/en/news/ema-update-shortages-antibiotics-eu