jan122024
Miratohen çmimet e barnave. Rinis puna për hartimin e listës së barnave të rimbursueshme. Mund të jetë gati në prill.
Për tre vite me radhë lista e barnave të rimbursueshme nuk ka ndryshuar; ka funksionuar ajo e vitit 2021. Kjo do të thotë se, as qytetarët nuk kanë pasur barna të reja që duhet të shtoheshin çdo vit, dhe as numri i përfituesve nuk është rritur. Për vitin 2024, ende nuk është ngritur komisioni që do të vlerësojë se cilat barna do t'i shtohen kësaj liste.
Në mesin e vitit 2023, ndonëse shumë vonë, nisi puna për hartimin e listës se re të barnave të rimbursueshme dhe që nga fillimi i majit, kur duhej të dilte, nuk u arrit të miratohej as në muajin dhjetor. Komisioni i vlerësimit kishte nisur punën për hartimin e listës që gjatë verës të vitit 2023 dhe në dhjetor dorëzoi një draft të listës së re të barnave të rimbursueshme, por ky draft u rrëzua nga komisioni administrativ, kryetar i të cilit është ministri i Shëndetësisë. Kjo përkon edhe me ndryshimin e kreut të komisionit administrativ, nga Ogerta Manastirliu, tek Albana Kociu. Tanimë, për listën e re të barnave të rimbursueshme për vitin 2024, duhet ngritur një komision i ri dhe mësohet se disa nga anëtarët nuk do të jenë në grupet e punës.
Vonesa e miratimit të listës së re të barnave të rimbursueshme ka sjellë një sërë problemesh. Në treg mungojnë shumë barna që janë në listën e barnave të rimbursueshme, pasi distributorët nuk duan të rrezikojnë duke krijuar stok, ndërkohë që nuk e dinë kur mund të dalë lista dhe çfarë çmimesh do të përcaktohen.
Ndërsa një tjetër dëm është shkaktuar në buxhetin e fondit të kujdesit shëndetësor pasi çmimi i barnave përllogaritet me kursin e këmbimit të euros në dy gjashtëmujorë të vitit. Aktualisht po aplikohen çmime të përcaktuara me kursin e këmbimit të gjashtëmujorit të parë të vitit, kur një euro këmbehej me 116 lekë, ndërkohë që sot një euro këmbehet me 103 lekë. Burime nga ministria e Shëndetësisë thonë se para pak ditësh janë miratuar çmimet dhe në bazë të tyre, komisioni duhet të hartojë listën e re të barnave të rimbursueshme, e cila, sipas parashikimeve, mund të jetë gati në muajin prill.
Alma Demiraj