mar272023
Vetitë antimikrobike të vajrave esenciale të agrumeve dhe erëzave
Vajrat esenciale kanë treguar se për shkak të metabolitëve të tyre sekondarë (të tillë si fenolet, terpenoidet dhe alkaloidet) mund të kenë potencialin e disa agjentëve antimikrobikë. Disa studime, të cilët janë intensifikuar vitet e fundit, kanë hetuar aktivitetin antimikrobik in vitro të ekstrakteve të llojeve të ndryshme të rigonit (Origanum L.), karafilit (Syzygium aromaticum), disa llojeve të agrumeve (Citrus L.) dhe vajrave të tyre esencialë kundër patogjeneve që vijnë nga ushqimi, dhe kanë dhënë rezultate inkurajuese.
Për shumë studime në dukje kontradiktore, kohët e fundit ka lindur nevoja për të thelluar metodën e vlerësimit të rezultateve të studimeve laboratorike, duke vlerësuar me kujdes procedurën dhe metodat me të cilat vlerësohet rritja bakteriale dhe efekti antimikrobik i një substance.
Potenciali i vajrave esenciale të agrumeve, rigonit dhe karafilit
Agrumet, rigoni dhe karafili janë bimë aromatike që përdoren kryesisht në kuzhinë për t'i shtuar shijen ushqimeve dhe gjithashtu edhe në mjekësine tradicionale. Lëvorja e agrumeve është pjesë e frutave që përmbajnë vajra esencialë, ato janë përdorur për mijëra vjet, kryesisht portokalli dhe limoni, për të trajtuar disa prej çrregullimeve gastrointestinale. Në fakt, lëvoret e agrumeve përmbajnë substanca, ndër të cilat polifenolet, flavonoidet dhe terpenet, të cilat janë të dobishme për përmirësimin e funksionit tretës. Karafili është ekspektentues, tretës dhe përdoret edhe sot për efektin e tij antimikrobik: përdorimi i tyre në këtë drejtim përfshin mijëvjeçarë. Ata janë shumë të pasur me terpene, eugenol dhe kamforë, prandaj karakterizohen nga një aromë e fortë. Rigoni është një bimë aromatike i cili në të kaluarën ka pasur një fuqi të madhe mjekësore: është përdorur për vetitë e tij ekspektorante, tretëse dhe antimikrobike. I tharë deri në shkallën e tretë, sipas farmakologjisë Hipokratike, është përdorur për kollën, për amenorrenë, për efektin e tij diuretik, për të luftuar nauzetë dhe gastritin dhe sipas Dioscorides, rigoni është i shkëlqyer për problemet e stomakut.
Efikasiteti antimikrobik kundër Escherichia coli dhe Bacillus cereus
Një studim i publikuar së fundi, ka hetuar efikasitetin antimikrobik të vajrave esencialë të lartpërmendur te disa baktere të rëndësishme patogjene si E. coli dhe Bacillus cereus duke identifikuar metodat e ndryshme të vlerësimit të përdorura në studime për të përcaktuar me saktësi ndjeshmërinë e një mikroorganizmi ndaj agjentëve antimikrobikë dhe të nxjerrë në pah rezultate më të sakta. Escherichia coli ka treguar ndjeshmëri më të madhe ndaj vajit esencial të agrumeve (portokalli dhe limoni), ndërsa rigoni dhe karafili ishin më efektivë kundër Bacillus cereus. Studimi zbuloi gjithashtu se shumë aspekte mund të ndikojnë në matjet e inhibimit duke ndryshuar përfundimet; prandaj, theksojnë studiuesit, krahasimi i rezultateve të studimeve të ndryshme duke përdorur metodën e quajtur 'metoda e difuzionit të diskut' duhet të kryhet me kujdes maksimal.
Edhe pse artikulli ka disa kufizime, rezultatet mbështesin potencialin e rigonit, karafilit dhe lëvores së agrumeve për të penguar ose ngadalësuar rritjen e baktereve duke ofruar një pasqyrë të variablave që ndikojnë në disa matje. Metaanaliza ka treguar se limoni dhe portokalli ishin shumë efektive kundër E. coli, ndërsa rigoni dhe karafili treguan nivelin më të lartë të efikasitetit kundër B. cereus; megjithatë, ekstraktet e karafilit duket se janë pak më shumë efektive.
Objektivi i studimit është vërtet i vështirë, por ai vendos bazat për kërkime të ardhshme, me perspektiva më të mira për të vlerësuar rezultatet me saktësi ekstreme, duke përmirësuar padiskutim cilësinë e analizave laboratorike, veçanërisht përsa i përket efektit të tyre antimikrobik.
Fabio Milardo
Burimi
Foods. 2023; 12(6):1265. https://doi.org/10.3390/foods12061265