tet142024
Menopauza. Ribes nigrumi kundër plakjes dhe brishtësisë kockore
Me kalimin e moshës kockat bëhen më të brishta, veçanërisht te gratë pas menopauzës që përjetojnë humbje të konsiderueshme të densitetit kockor për shkak të rënies së estrogjenit. Osteoporoza pas menopauzës është një problem që po vjen duke u rritur në nivele globale, duke prekur një në katër gra mbi moshën 65 vjeç në Shtetet e Bashkuara. Në dritën e shqetësimeve për efektet anësore të trajtimeve tradicionale, ekziston edhe një kërkesë për zgjidhje natyrale për të parandaluar humbjen e kockave. Në këtë kontekst, ekipi hulumtues i udhëhequr nga profesori Ock Chun kreu një studim klinik me përzgjedhje rastësore dyfish të verbër, të kontrolluar nga placebo për më shumë se 51 gra 45-60 vjeç në peri dhe post menopauzë, për të ekzaminuar efektet e Ribes nigrumit në aspekte të ndryshme që lidhen me shëndetin e kockave.
Ribes nigrumi redukton humbjen kockore dhe aktivitetin RANKL
Pas një periudhe gjashtë mujore integrimi, rezultatet ishin inkurajuese. Grupi që mori dozën më të lartë të ribes nigrumit regjistroi një ulje të ndjeshme të humbjes së densitetit kockor në krahasim me grupin e kontrollit, kjo falë uljes së niveleve të RANKL, një proteinë që stimulon aktivitetin e osteoklasteve, qelizat përgjegjëse për resorbimin e kockave.
Modulimi i mikrobiotës intestinale
Një nga aspektet më inovative të këtij studimi ishte thellimi i lidhjes midis mikrobiotës intestinale dhe shëndetit të kockave. Mikrobiota dihet se luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e sistemit imunitar dhe inflamacionit, të cilat të dyja janë të lidhura ngushtë me humbjen kockore. Ribes nigrumi, falë përmbajtjes së antocianinës, ka treguar se mund të modifikojë mikrobiotën intestinale, duke rritur diversitetin bakterial, veçanërisht të baktereve Ruminococcus 2, të shoqëruara me përthithje më të mirë të kalciumit dhe reduktim të inflamacionit.
Reduktimi i inflamacionit
Në fund, testet e gjakut të pjesëmarrësve treguan një reduktim margjinalisht të rëndësishëm në nivelet e interleukin-1 beta (IL-1β) dhe RANKL, duke treguar më pak inflamacion dhe resorbim kockor.
Perspektivat e ardhshme
Studimi theksoi se konsumimi i ribes nigrumit për gjashtë muaj mund të ndihmojë në parandalimin e humbjes kockore te gratë në peri dhe post menopauzë, falë modulimit të mundshëm të mikrobiotës intestinale dhe reduktimit të citokinave inflamatore që nxisin riabsorbimin e kockave. Edhe pse nevojiten studime të mëtejshme në shkallë të gjerë për të konfirmuar këto gjetje, hulumtimi hap perspektiva të reja për zhvillimin e strategjive natyrore që synojnë kundërveprimin e problemeve shëndetësore që lidhen me menopauzën.
Burimi:
https://www.sciencedirect.com/science/article/abs/pii/S0955286324001347?via%3Dihub