Fitoterapi

nën62024

Sindroma metabolike. Ekstraktet e agrumeve përmirësojnë profilin lipidik

Agrumet janë një burim i pasur me flavonoide bioaktive, veçanërisht flavone të polimetoksiluara, ksantofile, karotenoide dhe apokarotenoide. Këto komponime bioaktive reduktojnë ndërmjetësuesit inflamatorë, duke minimizuar kështu rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të caktuara, përfshirë edhe sindromën metabolike (MetS) dhe diabetin. Disa studime të zhvilluara te kafshët kanë demonstruar efektet e dobishme të flavonoideve të agrumeve, karotenoideve, terpeneve, limonoideve dhe komponimeve të tjera bioaktive (p.sh., pektina dhe kumarina) kundër sindromës metabolike. Një përmbledhje e literaturës e publikuar së fundi ka treguar rezultatet e disa studimeve klinike te pacientëve të prekur nga sindroma metabolike (MetS; obeziteti, dislipidemia, presioni i gjakut dhe glicemia) dhe komplikimet shoqëruese (stresi oksidativ dhe inflamacioni) të trajtuara me integrimin kronik të një diete të pasur me polifenole që derivojnë nga burime të ndryshme ushqimore. Sipas asaj që thuhet në artikull, polifenolet janë efektive, veçanërisht në doza më të larta, për një ose më shumë aspekte të sindromës metabolike, çaji jeshil ul ndjeshëm indeksin e masës trupore dhe përmirëson metabolizmin e lipideve, suplementimi i kakaos ul presionin e gjakut dhe sheqerin në gjak, ndërsa  agrumet dhe disa komponime individuale të nxjerra nga frutat agrume si hesperidina dhe kuercetina, përmirësojnë metabolizmin e lipideve dhe funksionin endotelial.

Te njerëzit, flavonoidet e agrumeve janë raportuar se kanë edhe veti të uljes së lipideve. Administrimi i glukozil hesperidinës (500 mg/ditë në formën e kapsulave) te pacientët me hipertrigliceridemi për 24 javë uli ndjeshëm përqendrimet plazmatike të triglicerideve dhe apolipoproteinës B (apoB); në një studim klinik të kryer te pacientët hiperkolesterolemikë, administrimi i naringinës (400 mg/ditë, për 8 javë) uli kolesterolin LDL në plazmë dhe apoB në serum me më shumë se 14%, pa asnjë ndryshim në përqendrimin e triglicerideve plazmatike ose të kolesterolit HDL. Megjithatë, në studime të tjera, kapsulat e hesperidinës (800 mg) ose naringinës (500 mg) nuk ndikuan në kolesterolin LDL ose nivelin e triglicerideve pas 4 javësh te pacientët me hiperkolesterolemikë të moderuar.

Studimet epidemiologjike kanë treguar se konsumimi i frutave të agrumeve mund të jetë një faktor mbrojtës kundër zhvillimit të diabetit të tipit 2, por rezultatet janë kontradiktore. Efekti i drejtpërdrejtë akut i (poli)fenoleve të agrumeve në përgjigjen glicemike pas ngrënies, një faktor rreziku për diabetin e tipit 2, është relativisht i vogël. Edhe pse, pas periudhave të gjata të konsumimit të lëngut të agrumeve janë vërejtur përmirësime në nivelet e glicemisë dhe insulinës gjatë agjërimit si dhe rezistencës ndaj insulinës. Variacioni i lartë ndërindividual në disponibilitetin biologjik të flavanoneve duket të jetë një nga faktorët kryesorë që ndikon në përgjigjet fiziologjike, si dhe ndryshimet në mikrobiotën intestinale.




Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC