Shëndetësi

pri22024

Shëndeti i kockave, osteoporoza dhe zonat e gjelbra

Të jetosh afër zonave me jeshillëk, kopshte apo parqe, mund të shtojë dendësinë e kockës dhe të reduktojë rrezikun për osteoporozë. Autorët e një studimi theksojnë më tej se janë nivelet e ulëta të ndotjes atmosferike në zonat e gjelbra, ato që përbëjnë një faktor të rëndësishëm, i cili kontribuon në lidhjet e zbuluara mes tyre.

Ekspozimi ndaj zonave të gjelbra lidhet me rreziqe të reduktuara të shëndetit
Osteoporoza, sëmundje e cila i zbut kockat dhe i bën ato të prirura ndaj frakturave, e shkaktuar nga faktorë gjenetikë, hormonalë dhe mjedisorë, mund të shkaktojë dhimbje kronike, reduktim në lëvizje dhe cilësi më të dobët jetese. Mbizotërimi i saj në botë është i destinuar të rritet, i shoqëruar me plakje të shpejtë të popullsisë dhe me ndryshime në stilin e jetesës.

Duke u nisur nga fakti se ekspozimi ndaj zonave të gjelbra lidhet me rrezik më të ulët për shëndet të dobët, autorët kanë dashur të kuptojnë nëse ky fakt lidhet edhe me rrezikun për osteoporozë. Për ta kuptuar këtë, ata analizuan të dhënat e ruajtura në Biobank në Mbretërinë e Bashkuar për 391,298 persona, me moshë mesatare 56 vjeç, pak më shumë se gjysma e të cilëve (53%) ishin gra. Të gjithë kishin të dhëna të ruajtura rreth dendësisë minerale kockore dhe faktorëve që mund të ndikojnë në të, duke përfshirë përkatësinë etnike, të ardhurat vjetore të familjes, nivelin e arsimit, statusin e punësimit, zonën e banimit, konsumin e alkoolit, nivelet e aktivitetit fizik, statusin e tymosjes dhe dietën. Rreziku i tyre gjenetik për osteoporozë u llogarit duke përdorur një pikësim, ndërsa sasia e hapësirës së gjelbër në zonën e tyre të banimit u përcaktua duke vënë në zbatim një metodë matjeje të përdorur gjerësisht.

Nivelet e ulëta të ndotësve NO2 dhe PM2,5  +  prania e zonave të gjelbra = më pak rrezik për osteoporozë
Ekspozimet mesatare vjetore ndaj ndotësve, si dioksidi i azotit (NO2) dhe grimcat PM2.5, u vlerësuan bazuar në kodin postar të banimit dhe të dhënat nga projekti Escape, i cili po analizon efektet afatgjata shëndetësore të ekspozimit ndaj smogut në Evropë. Çdo pjesëmarrës u monitorua dhe përgjatë një periudhe mesatare 12-vjeçare u verifikuan raste të reja me osteoporozë te 9.307 individë. Ata kishin më shumë gjasa të ishin më të moshuar, femra, duhanpirës dhe pensionistë, dhe gjithashtu kishin më shumë gjasa të kishin një nivel më të ulët arsimimi dhe të ishin më të pafavorizuar nga ana ekonomike. Megjithatë, u mundësua edhe një lidhje koherente ndërmjet numrit të zonave të gjelbra dhe rasteve të reja me osteoporozë. Autorët vlerësuan indeksin e bimësisë, duke përllogaritur distancën nga hapësira e gjelbër e disponueshme në një interval brenda 300-1500 m. Me rritjen e këtij indeksi, u konstatua një rritje e dendësisë minerale kockore dhe 5% më pak rrezik për t'u prekur nga osteoporoza. Faktorët kryesorë në lidhjen e konstatuar ndërmjet hapësirës së gjelbër dhe reduktimit të rrezikut për t'u prekur nga osteoporoza, ishin nivelet më të ulëta të ndotësve NO2 dhe PM2,5.

Pemët dhe bimët, filtrat natyrorë të ndotjes së ajrit
Studime të ndryshme kanë demonstruar se ekspozimi ndaj somgut mund të prodhojë stres oksidativ dhe inflamacion dhe mund të ndryshojë hormonet, fenomene këto që mund të shtojnë rrezikun për osteoporozë. Individët që jetojnë në zona më të gjelbra janë më pak të rrezikuar, pasi pemët dhe bimët veprojnë si filtra natyrorë, duke larguar substancat ndotëse nga ajri. Gjithashtu, ushtrimi i aktivitetit fizik lidhej me një rrezik më të reduktuar për osteoporozë, ndoshta sepse jetesa në zona të gjelbra të ofron më shumë mundësi të kryesh aktivitet fizik.


Megjithatë, studiuesit njohin edhe disa kufizime, të tilla si fakti që përllogaritja e indeksit të bimësisë bazohej në adresat e vendbanimit. Pra, mund të mos ta ketë përcaktuar me saktësi sasinë efektive të zonës së gjelbër. Gjithashtu, pjesëmarrësit në studim ishin përgjithësisht të shëndetshëm, prandaj nuk duhet përjashtuar potenciali i biasit të përzgjedhjes. Por, rezultatet paraqesin provën e parë që tregon se hapësirat e gjelbra në vendbanime lidhen me një dendësi më të madhe kockore dhe rrezik të reduktuar për t'u prekur nga osteoporoza.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC