dhj102014
Helmimi nga dekorimet e Krishtlindjeve
Bimët nuk janë të gjitha të ngrënshme, shpesh përmbajnë substanca toksike. Po ashtu edhe ato që përdoren për qëllime dekorative për Krishtlindje nuk bëjnë përjashtim. Ato janë të rrezikshme veçanërisht për fëmijët, pohojnë mjekë nga spitali pediatrik ''Bambino Gesù'' në Romë, helmimi është një nga emergjencat më të zakonshme pediatrike, sidomos në periudhat e pushimeve. Fëmijët midis vitit të parë dhe të katërt të jetës janë më të cënueshëm nga helmimet sepse organizmi i tyre ende nuk i ka të gjithë mekanizmat e mbrojtjes të pranishme tek të rriturit, dhe kureshtja e tyre natyrale i bën të eksplorojnë çdo objekt rreth tyre. Gjatë 10 viteve të fundit kanë qenë më shumë se 1.600 fëmijë të helmuar, të ardhur në ''Bambino Gesu''; ndër shkaqet më të shpeshta: gëlltitje të barnave (35% e rasteve) dhe e produkteve shtëpiake (30%), substanca kaustike, cigaret, bimët, kërpudhat, kontakt me pesticidet, pickimi nga gjarpërinjtë apo kafshë të tjera të rrezikshme. ''Kujdes nga dekorimet e Krishtlindjeve, - nënvizojnë mjekët e spitalit pediatrik, - qirinjtë, myshqet, pemët, sintetike dhe natyrale, mund të krijojnë disa probleme serioze. Gëlltitja aksidentale e gjetheve të lules së Krishtlindjeve, bimë të cilat janë veçanërisht tërheqëse për kuriozitetin e fëmijëve, mund të shkaktojnë dhimbje barku, të vjella, aritmi, madje dhe konvulsione.