Ekzema ose dermatiti atopik është një sëmundje kronike inflamatore që shfaqet fillimisht me skuqje të lehta dhe fshikëza të cilat shkaktojnë kruarje. Ajo mund të lidhet me sëmundje të tjera atopike si riniti dhe astma. Në Evropë një fëmijë në 2, nën moshën 5 vjeç është i prekur nga forma pak a shumë të rënda dhe të "dukshme" të ekzemës. Shkaqet e vërteta janë të panjohura, mendohet për një predispozitë të trashëguar dhe për një kombinim faktorësh alergjikë dhe jo alergjikë (ankthi, ushqimi, barnat dhe ndotja). Trajtimi i ekzemës përfshin përdorimin e emolientëve, të barnave antihistamine, antimikrobikëve, imuno-modulatorëve dhe kortisteroideve. Në veçanti, këta të fundit janë trajtim i zgjedhur më shpesh pavarësisht efekteve anësore që nuk duhen lënë absolutisht pas dore. Për këtë arsye, shumë pacientë i besojnë trajtimeve alternative, duke u kujdesur për dietën, kushtet higjieno-ambientale, gjendjen e ankthit/stresit dhe herë pas here duke marrë integratorë ushqyes. Këta të fundit janë kryesisht me bazë zinku, vitamina E, vitamina D, kërpi, vaj peshku dhe probiotikë. Sipas një rishikimi të fundit të "Cochrane" në asnjë prej këtyre integratorëve nuk janë hasur prova domethënëse për efekte pozitive në krahasim me placebon, përveç dy studimeve të vogla mbi vajin e peshkut për favorizimin e aktivitetit normal të lëkurës te personat me ekzemë.
Megjithatë, vetë "Cocharane" në një revizionim të 2004-ës, nënvizoi rezultatet pozitive të një përzierje bimore kineze që përmbante jamball dhe 9 bimë të tjera. Receta e ka prejardhjen nga një formulë antike kineze e rimarrë nga një kompani britanike dhe e patentuar me emrin Zemaphyte. Studimet e konsideruara domethënëse ishin megjithatë vetëm 4. Duke parë të dhënat inkurajuese të marra nga një përzierje e tillë edhe në fushën pediatrike dhe duke pasur parasysh përhapjen e shfrenuar të problemit, do të ishte etike të zhvilloheshin studime të tjera në këtë fushë.