shk282024
Riniti alergjik te fëmijët. Shtim rastesh në 10 vjet
Një studim i publikuar në The Journal of allergy and clinical immunology: in practice, ka zbuluar një shtim të rinitit alergjik te popullata pediatrike në Itali, duke e konfirmuar natyrën e çrregullimit si "gjendje kronike e përhapur". Rezultatet evidentojnë një "shtim të ndjeshëm të prevalencës së sëmundjes", duke nxjerrë në pah edhe "një shtim konstant të diagnostikimeve përgjatë 10 viteve të fundit". Kjo është një "tendencë shqetësuese", sipas autorëve.
Studiuesit kanë zhvilluar një analizë sistematike dhe metaanalizë, duke marrë në konsideratë baza të dhënash, regjistra dhe studime grupi ose të tërthorta të publikuar në vitet 2012-2022, me qëllim vlerësimin epidemiologjik (incidencën ose prevalencën) të rinitit alergjik te fëmijët. "Në analizën tonë u përfshinë 22 studime. Prevalenca gjithëpërfshirëse e rinitit alergjik të diagnostikuar nga mjeku ishte 10,5%, ndërsa prevalenca gjithëpërfshirëse e rinitit alergjik të referuar nga vetë pacientët në 12 muajt e kaluar ishte 18%. Kjo analizë ka evidentuar edhe një tendencë të shtuar të rinitit alergjik të diagnostikuar nga mjeku gjatë viteve: 8,4% në periudhën 2012-2015, krahasuar me 19,9% në periudhën 2016-2022", shpjegon autorja kryesore e artikullit, Amelia Licari.
Sipas studiuesve, të dhënat evidentojnë "urgjencën për statistika të tjera në përshkrimin e lidhjes dhe kontrollit të komorbiditetit të lidhura me rinitin alergjik te pacientët pediatrikë. Analiza e sëmundjeve bashkëshoqëruese, së pari e astmës, është thelbësore për menaxhimin e plotë dhe të synuar të patologjisë". Autorët theksojnë edhe "nevojën për të përcaktuar një përkufizim standard të rinitit alergjik në studime të ardhshme për të lehtësuar grumbullimin e të dhënave të nxjerra. Propozimi i APP dhe i protokollit 'Mobile Airway Sentinel Network' nga ana e iniciativës 'Allergic Rhinitis and its Impact on Asthma' (ARIA), përbën një mjet të vlefshëm për interpretimin dhe monitorimin e rinitit alergjik, duke krijuar mundësi për studime epidemiologjike të bazuara në një përshkrim të konsoliduar të patologjisë".
Sipas ekspertëve, një element tjetër kryesor është "mungesa e informacioneve mbi komorbiditetin e rinitit alergjik, sidomos për patologjitë atopike të lidhura me të. Duke pasur parasysh prevalencën e rinitit alergjik te fëmijët, është shumë e rëndësishme të analizohet roli në përparim dhe parandalim i "marshimit atopik" dhe/ose në zhvillimin, ose përkeqësimin e astmës", përfundojnë autorët.
J Allergy Clin Immunol Pract. 2023;11(8):2547-2556. doi: 10.1016/j.jaip.2023.05.016.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/37236349/