kor182024
Astma infantile. Vaksinimi me vaksinën kundër Covid-19, redukton shfaqjen e simptomave
Vaksinimi kundër Covid-19 mund të sjellë reduktim të simptomave të astmës infantile, të referuar nga prindërit. Kjo praktikë do të ishte e dobishme në reduktimin e rreziqeve për shëndetin gjatë pandemive, sipas një studimi të publikuar në JAMA Network Open.
Astma si faktor rreziku për Covid-19
Në fillim të pandemisë së Covid-19, astma konsiderohej si faktor rreziku domethënës për infektimin me sindromin respirator akut të rëndë nga SARS-CoV-2, si dhe për shtrim në spital për shkak të Covid-19, sidomos te fëmijët që konsideroheshin me imunitet më të dobët. Disa nga masat e shumta të rekomanduara gjatë fazave fillestare të pandemisë, si distancimi, reduktuan paraqitjet në urgjencë dhe shtrimet e fëmijëve me astmë. Gjithashtu, vaksinimi reduktoi ndjeshëm rrezikun për infektim me SARS-CoV-2, si te fëmijët, ashtu edhe te të rriturit.
Efektet e vaksinimit mbi simptomat e astmës
Me qëllim vlerësimin e përfitimeve të mundshme të vaksinimit kundrejt simptomave të astmës, dy studiues morën në konsideratë të dhënat e disponueshme mbi prevalencën e simptomave të sëmundjes inflamatore kronike te fëmijët, të raportuara nga prindërit. Të dhëna të tjera përfshinin normat e vdekshmërisë nga Covid-19, përqindjen e popullsisë në moshën 5-vjeçare e lart, që i ishte nënshtruar ciklit të parë të vaksinimit antiCovid-19, si dhe detyrimin e përdorimit të maskave në hapësira të mbyllura.
Evidencat
Nga studimi rezultoi se norma mesatare e simptomave të raportuara të astmës infantile u reduktua nga 7.77% që ishte në vitet 2018-2019, në 6.93% në vitet 2020-2021. Ky reduktim erdhi si pasojë e masave të shëndetit publik që synonin kontrollimin e përhapjes së Covid-19, të tilla si vaksinimi dhe përdorimi i detyruar i maskave. Në veçanti, për çdo rritje prej 10% në vaksinimet kundër Covid-19, norma e simptomave të astmës infantile, të raportuara nga prindërit, reduktohej me 0.36%. Pra, vaksinimi kundër Covid-19, rezultoi efektiv kundër infektimit të fëmijëve me SARS-CoV-2, si dhe mund të ofrojë mbrojtje ndaj koronaviruseve të tjera njerëzore përmes reagimeve ndëreaktive të antitrupave dhe imuniteti i tufës mund të ketë ndikuar në reduktimin e rrezikut për astmë te fëmijët.
Në të njëjtën periudhë, norma mesatare e vdekshmërisë nga Covid-19 u rrit nga 80.3 për çdo 100.00 vetë në vitin 2020, në 99.3 në vitin 2021. Pra, nuk u vërejt asnjë lidhje ndërmjet simptomave të astmës dhe normave të vdekshmërisë nga Covid-19, ndërsa normat e vaksinimit kundër Covid-19 lidheshin negativisht me normat e vdekshmërisë në vitin 2021, por jo në 2020.