kor132015
Ndikimi i bisfenolit A në aparatin kardiovaskular
Rezultatet e një studimi të publikuar në revistën "Hypertension" dhe të drejtuar nga Sanghyuk Bae, specialist në departamentin e mjekësisë parandaluese në Universitetin e Seulit (Kore e Jugut) kanë treguar se pijet në kanaçe rritin jo vetëm përqendrimin të lartë të bisfenolit A në gjak, por ndikojnë edhe në rritjen e presionit të gjakut në dy orët e para pas konsumimit.
"Bisfenoli A është një përbërës kimik i përdorur në prodhimin e rezinave plastike të polikarbonatit, si dhe në një shumëllojshmëri të gjerë produktesh ndër të cilat shishet plastike, kontenierë për produkte ushqimore dhe në veshjen e brendshme të kanaçeve", shpjegon studiuesi duke nënvizuar se për shkak të përhapjes së gjerë të këtyre përbërësve, mbi 95% e popullsisë amerikane është e ekspozuar ndaj bisfenolit A.
Studimet epidemologjike kanë treguar një lidhje mes këtij përbërësi dhe efekteve negative në aparatin riprodhues ku ky element ndikon në bllokimin e receptorëve të estrogjenit. Në aparatin kardiovaskular ndikimi ndodh mbi presionin e gjakut dhe ndryshimin e ritmit kardiak. Duke u nisur nga këto supozime, studiuesit koreanojugorë verifikuan se konsumimi i pijeve në kanaçe dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj bisfenolit A mund të ndryshojë të dyja parametrat kardiovaskularë. Për këtë qëllim u zhvillua një ekzaminim mbi 60 pjesëmarrës te moshës mbi 60 vjeç. Atyre iu dha e njëjta pije në shishe qelqi ose në kanaçe, duke përziere radhën e konsumimit dhe duke kryer matjet e bisfenolit A në urinë, presionin e gjakut dhe ndryshimin e ritmit kardiak dy orë mbas konsumimit. "Në krahasim me ata që kishin përdorur shishe qelqi, te ata që kishin pirë nga kanaçet përqendrimi i bisfenolit A në urinë u rrit me 1.600% dhe presioni sistolik i gjakut me rreth 4.5 milimetra mërkur (mmHg). Ndërsa ndryshimi i ritmit kardiak nuk tregoi luhatje domethënëse. Megjithatë, duhet marrë në konsideratë se rezina epokside për veshjen e brendshme të kanaçeve gjendet kudo dhe rritja e vazhdueshme e presionit të gjakut përbën një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin publik", përfundon Bae.