jan122016
Trajtimi afatgjatë me warfarin ndikon në reduktimin e densitetit kockor
Sipas rezultateve të një studimi të publikuar në revistën "Osteoporosis International", te fëmijët me patologji komplekse dhe te ata me indeks të ulët të masës trupore (BMI), rritet risku për zhvillimin e një densiteti të ulët mineral kockor (MBD) gjatë terapisë afatgjatë me warfarin.
"Warfarin është një antikoagulant shumë i përdorur në pediatri", shpjegon një nga autorët e kërkimit, Leonardo Brandao nga "Hospital for Sick Children" në Toronto (Kanada), i cili bashkë me kolegët ka studiuar densitetin mineral kockor të fëmijëve të trajtuar me warfarin për një kohë të gjatë duke u bazuar në studime të mëparshme që lidhnin antagonistin e vitaminës K me një shtim të riskut të frakturave në të rriturit. "Pak dihet mbi atë se si warfarin modifikon MBD-në te pacientët në moshë pediatrike", shkruajnë kërkuesit, duke nënvizuar se monitorimi i densitetit mineral kockor do të bënte të mundur identifikimin e fëmijëve me risk më të lartë për fraktura.
Për të kuptuar më mirë nëse warfarina do të ishte në gjendje të influenconte MBD-në te pacientët në moshë pediatrike, kërkuesit kanë vlerësuar 70 fëmijë të trajtuar me warfarin midis vitit 2003 dhe 2011, që i janë nënshtruar të paktën dy herë skanimit me densitet kockor me energji të dyfishtë (Dxa). "Pacientët kanë qenë në kurim me antikoagulant oral mesatarisht për 8.5 vjet dhe 13% kishin vlera të njëjta ose më të ulëta se -2.0 të 'Z-score' , tregues i një reduktimi të tepërt të masës kockore", thotë kërkuesi, duke shpjeguar se 56 % e subjekteve me Z-score të ulët paraqitnin kushte klinike komplekse, kundrejt 8% të fëmijëve me vlera normale, që në fakt kishin probabilitet më të madh për të pasur shqetësime kardiake të izoluara.
"Këto rezultate mund të ndihmojnë mjekët për të diferencuar në mënyrë statistikore pacientët e rrezikuar nga zvogëlimi i densitetit mineral kockor dhe që mund të çojnë në një avantazh për ndërhyrje të shpejta terapeutike", përfundon Brandao.
Osteoporos Int. 2015. doi: 10.1007/s00198-015-3411-8
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26572757