tet312019
Shpejtësia e të ecurës në moshën 45-vjeçare, tregon sa të plakur jemi
Sipas një studimi të publikuar në "JAMA Network Open", shpejtësia e të ecurës në moshën 45-vjeçare dhe në veçanti, shpejtësia maksimale e ecjes pa vrapuar, mund të përdoret si tregues i gjendjes së plakjes fizike dhe cerebrale.
"Në studimin tonë, njerëzit që ecnin më ngadalë kanë shfaqur një plakje në formë më të përkeqësuar te mushkëritë, dhëmbët dhe sistemi imunitar, krahasuar me ata që ecnin më shpejt", konfirmon Line Rasmussen (Universiteti Duke i Durham, në SHBA), që ka drejtuar studimin.
Kërkuesit kanë analizuar të dhënat që vinin nga një studim afatgjatë i zhvilluar me rreth 1000 vetë të lindur në të njëjtin vit në Dunedin, në Zelandën e Re. Këta iu janë nënshtruar ekzaminimeve më shumë herë në jetën e tyre dhe e fundit nga këto raste ka përkuar me 45-vjetorin e tyre. Ekzaminimet e rezonancës magnetike të zhvilluara në këtë vizitë, kanë treguar se subjektet që ecnin më ngadalë, prireshin për të patur një nivel më të ulët të vëllimit cerebral total, trashësi kortikale mesatare më të ulët, sipërfaqe më të vogël cerebrale dhe incidencë më të madhe për hiperintensitet të substancës së bardhë, ose të lezioneve të lidhura me sëmundjen e enëve të vogla të trurit.
Gjithashtu, ata që ecnin më ngadalë, janë gjykuar si më të moshuar, krahasuar me moshën e tyre, nga një grup njerëzish që ka parë foto të fytyrës së tyre. Por, ai që i ka habitur ekspertët ka qenë fakti që testet neuro-konjitive mbi koeficientin intelektual, të kuptuarit e gjuhës, tolerancën e frustrimit, aftësitë motorike dhe kontrollin emocional, që kanë patur pjesëmarrësit e studimit në moshën tre vjeçare, mund të parashikonin se kush prej tyre do të bëhej një ecës më i ngadaltë.
"Shpejtësia e të ecurës është përdorur prej kohësh si tregues i shëndetit dhe i plakjes te pacientët gjeriatrikë, por e reja e këtij studimi është mosha relative e re e subjekteve të studimit dhe aftësia për të parë se si shpejtësia, kombinohet me gjendjen shëndetësore gjatë jetës së tyre. Është për të ardhur keq që nuk e kemi analizuar shpejtësinë e të ecurës dhe nuk kemi në dispozicion analiza imazherike cerebrale të këtyre njerëzve, që në fëmijëri", përfundon Rasmusseni.
JAMA Netw Open. 2019. doi: 10.1001/jamanetworkopen.2019.13123
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31603488