tet212021
Tiroidet. Shëndeti dhe funksioni potencialisht në rrezik, edhe për shkak të faktorëve mjedisorë
Funksioni i dëmtuar i tiroides mund të përcaktohet nga faktorë të shumtë mjedisorë. Në fakt, specifikon Annamaria Colao, presidente e Shoqatës Italiane të Endokrinologjisë (SIE), "jodi, ky element i pranishëm në ujë, është një komponent thelbësor i sintezës së hormoneve tiroide. Kështu, zonat që kanë mungesë të jodit në ujë njihen si zona endemike të strumës, ku mungesa e jodit (bashkë me faktorë të tjerë) shoqërohet me një rritje të madhësisë së gjëndrës tiroide dhe sintezë të reduktuar të hormoneve, duke krijuar një panoramë të hipotiroidizmit si te të rriturit, ashtu edhe te fëmijët. Prandaj është thelbësore që ky oligoelement kaq i rëndësishëm të suplementohet sa më shpejt të jetë e mundur në formën e kripës së jodizuar".
Seleniumi, vitamina D dhe ndotja
Jodit i duhen shtuar edhe substanca të tjera, specifikon Colao. "Midis këtyre duhet të kujtojmë të gjitha ato që janë të përfshira në ekuilibrin e sistemit imunitar, siç është seleniumi, i cili është një tjetër oligoelement "thelbësor", pasi mungesa e tij rrit mundësinë e zhvillimit të auto antitrupave drejtuar kundër tiroides, me një rritje pa kriter të tiroiditit, që qëndron gjithmonë në bazë të reduktimit të sintezës së hormoneve tiroide". Këtyre dy përbërësve që merren me ujë dhe ushqim, shton Colao, i shtohet vitamina D (e cila nuk është e tretshme në ujë, por e tretshme në yndyrë): "Bëhet fjalë për një hormon që sintetizohet falë stimulit të dritës së diellit gjatë muajve të verës (dhe që në dimër duhet marrë me suplemente) dhe që ka rëndësi të madhe në stimulimin e përgjigjes imune. Prandaj, kur ka mungesë të vitaminës D, zakonisht ka një shtim të sëmundjeve autoimune në përgjithësi dhe, në këtë rast, të tiroiditeve kronike. "Këtyre tri elementeve të forta dhe themelore, duhet t'i shtojmë praninë e çrregulluesve endokrinë, domethënë, ndotësve mjedisorë, nga të cilët kryesorë janë hidrokarburet aromatike policiklike, mikro-grimcat nga djegia e mbeturinave, komponimet e fluoruara, bisfenoli dhe plastika. "Të gjitha këto substanca", specifikon Colao "hyjnë drejtpërdrejt në sintezën dhe funksionin e hormoneve, përfshirë ato tiroide, edhe përmes bllokimit të veprimit të receptorit. Kështu, tiroidja, edhe kur është plotësisht normale, iu nënshtrohet rreziqeve që rrjedhin nga substanca të pranishme në mjedis, që mund të përcaktojnë fillimin e një tiropatie".
Elemente të tjera mjedisore
Përmbledhtazi, "zjarri i kryqëzuar" të cilit i nënshtrohet gjëndra tiroide mund të ketë si shkak elementet që rrjedhin nga gëlltitja (e ujit, ose ushqimit) ose nga inhalimi, edhe përmes substancave të pranishme në veshje. "Mjafton të mendosh", shpjegon Presidenti i SIE-s, "se komponimet e fluoruara janë pjesë e të gjitha veshjeve të papërshkueshme nga uji, ashtu siç gjendet plastika në disa pëlhura sintetike. Disa prej këtyre substancave depërtojnë përmes dermës dhe të tjerat inhalohen".1,2
Ka edhe elemente të tjera mjedisore që mund të ndikojnë në funksionin e tiroides. "Disa zona të botës kanë rrezatim më të fortë tokësor, për shembull, të gjitha zonat vullkanike", thotë Colao. "Të gjitha popullatat që jetojnë pranë vullkaneve (siç tregohet nga studimet e kryera në afërsi të shpateve vezuviane ose të Etnës), vuajnë nga rrezatimi i madh tokësor dhe janë në rrezik më të madh për të humbur funksionin e tiroides - siç dihet, jodi radioaktiv përdoret për të shkatërruar indet tiroide - dhe gjithashtu, për të zhvilluar forma kanceroze, duke e përshkruar kështu këtë gjendje si një faktor onkogjenik". Mënyra e jetesës, nga ana tjetër, nuk ndikon shumë në funksionin e tiroides, përveçse - rithekson Colao - marrja e pakët të jodit, që u përmend tashmë.
Obeziteti dhe pandemia Covid
"Duhet të specifikohet më mirë se, në hipotiroidizëm, i cili ka si rezultat ngadalësimin e metabolizmit, është e vërtetë se ekziston një tendencë e caktuar për të shtuar në peshë, por këto janë variacione prej disa kilogramësh. Domethënë, u duhet theksuar, sidomos pacientëve, që nuk bëhesh obez për shkak të hipofunksionit të tiroides. Me fjalë të tjera, obeziteti është një patologji krejtësisht e ndryshme nga hipotiroidizmi". Së fundi, për të ardhur në aktualitet, te pandemia Covid-19: "Disa studime kanë treguar një shtim të tiroiditit subakut - në baza inflamatore dhe nga infeksioni viral - të shoqëruar gjithashtu me dhimbje në palpimin e gushës, me një përbërës fillestar të hipertiroidizmit, të cilat mund të kthehen në gjendje normale pa lënë dëmime ose të vazhdojnë si hipotiroidizëm", thotë specialistja. "Do të duhet të shihet nëse Sars-CoV-2-i cili shkakton një sindromë post-Covid (e njohur edhe si long-Covid) mjaft i rëndësishëm për dëmtimin e muskujve dhe të frymëmarrjes, nuk do të shoqërohet me dëmtime të përhershme endokrine. Kjo, për momentin, nuk dihet ende", përfundon Colao.
Bibliografia
1) Colao A, Muscogiuri G, Piscitelli P. Environment and Health: Not Only Cancer. Int J Environ Res Public Health. 2016 Jul 19;13(7).
2) Benvenga S, Elia G, Ragusa F, et al. Endocrine disruptors and thyroid autoimmunity. Best Pract Res Clin Endocrinol Metab. 2020;34(1):1013177.