kor32024
Vitamina D. Dozimi nuk është standard. Ja, udhëzimet
Matja e vlerave të vitaminës D në gjak është thelbësore për diagnostikimin e duhur të mungesës (hipovitaminoza) dhe për përcaktimin e duhur të një terapie më të përshtatshme, pasi nuk ekziston një terapi standarde në rast hipovitaminoze D dhe suplementimi përcaktohet në bazë të ashpërsisë.
Përse, kur dhe si ta vlerësojmë gjendjen/mungesën e vitaminës D?
"Është shumë e rëndësishme të maten vlerat e vitaminës D (më saktësisht 25-hidroksivitamina (25-(OH)D)) në gjak. Kjo krijon mundësinë e diagnostikimit të duhur të hipovitaminozës D dhe të përcaktimit të një terapie më të përshtatshme, pasi nuk ekziston asnjë terapi standard në rast të kësaj diagnoze: suplementimi modelohet në bazë të ashpërsisë së mungesës. Dozimi i vitaminës D rekomandohet për të gjitha kategoritë me rrezik për mungesë. Një listë goxha e gjatë kjo, në të cilën përfshihen me siguri ata që vuajnë nga osteoporoza, të moshuarit, individët mbipeshë ose obezë dhe ata që trajtohen me barna ose që zhvillojnë sëmundje që reduktojnë përthithjen e vitaminës D. Ekziston një konsensus i gjerë klinik mbi mënyrën e matjes së saj, d.m.th. përmes niveleve të 25-hidroksivitaminës D në gjak. Përkufizimi i niveleve të dëshirueshme është më i diskutueshëm. Në thelb, 20 ng/mL dhe 12 ng/mL përfaqësojnë pragjet nën të cilat flasim respektivisht për mungesë dhe mungesë të rëndë në popullatën e përgjithshme. Por, në rastin e patologjive paraekzistuese, si osteoporoza, pragu rritet në 30 ng/mL", shpjegon profesori Andrea Giustina.
Sasia dhe mënyra e marrjes së vitaminës D
"Suplementimi i vitaminës D është i nevojshëm në momentin që organizmi nuk e prodhon mjaftueshëm atë, për të mbajtur nën kontroll rreziqet skeletike dhe ekstraskeletike që sjell hipovitaminoza D, duke pasur parasysh, për më tepër, se nuk po flasim për një vitaminë, por për një hormon dhe për këtë arsye një dietë e ekuilibruar nuk mjafton për të plotësuar nevojat e saj. Është specialisti ai që kujdeset për përshkrimin dhe kontrollin e ecurisë së terapisë, deri në momentin e arritjes së vlerave të duhura të vitaminës D. Forma më e përdorur e vitaminës D gjatë suplementimit oral është kolekalciferoli, molekula e sintetizuar nga lëkura gjatë ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Ekzistojnë edhe patologji specifike, si pamjaftueshmëria renale dhe hepatike, për të cilat mund të përshkruhen forma më aktive të vitaminës D (kalcifedioli dhe kalcitrioli). Ka dhe situata në të cilat preferohet administrimi parenteral (kirurgjia bariatrike e shoqëruar me malabsorbimin oral)", përfundon Giustina.