gus132024
Suplementimi i vitaminës D për parandalimin e sëmundjeve. Udhëzimet e Endocrine Society
Studime të shumta tregojnë lidhje midis përqendrimeve të 25-hidroksivitaminës D (25[OH]D) në gjak dhe një sërë çrregullimeve të zakonshme, duke përfshirë sëmundjet muskulo-skeletore, metabolike, kardiovaskulare, malinje, autoimune dhe infektive. Këto lidhje kanë çuar në përhapjen e suplementimit të vitaminës D dhe në rritjen e numrit të testeve laboratorike për 25(OH)D në popullatën e përgjithshme. Megjithatë, bilanci rrezik-përfitim i këtij përdorimi të shtuar të vitaminës D është i paqartë dhe marrja optimale e vitaminës D, si dhe roli i testimit 25(OH)D për parandalimin e sëmundjeve mbeten të pasigurta. Qëllimi i udhëzimeve të reja klinike të Endocrine Society është zhvillimi i indikacioneve për përdorimin e vitaminës D (kolekalciferol [vitaminë D3] ose ergokalciferol [vitaminë D2]) për të zvogëluar rrezikun e sëmundjes tek individët pa indikacione të përcaktuara për trajtimin me vitaminë D ose për testet e 25(OH)D.
Një panel shumëdisiplinor ekspertësh klinikë, së bashku me ekspertë në metodologjinë udhëzuese duke u bazuar në një rishikimin sistematik të literaturës, identifikuan dhe u dhanë përparësi 14 pyetjeve klinikisht të rëndësishme në lidhje me përdorimin e testeve të vitaminës D dhe 25(OH)D për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve. Paneli përcaktoi si "suplementim empirik" marrjen e vitaminës D që: 1) tejkalon Konsumin Referencë Dietik (DRI); 2) zbatohet pa testim për 25(OH)D.
Paneli sugjeron suplementimin empirik të vitaminës D: a) për fëmijët dhe adoleshentët e moshës 1 deri në 18 vjeç për të parandaluar rakitizmin ushqimor dhe për të reduktuar rrezikun e infeksioneve të traktit respirator; për individët në moshën 75 vjeç e lart për shkak të potencialit të tij për të reduktuar rrezikun e vdekshmërisë; b) te gratë shtatzëna, për shkak të mundësisë së reduktimit të rrezikut për preeklampsi, vdekshmërisë intrauterine, lindjes së parakohshme, lindjes në peshë të vogël për moshën gjestacionale dhe vdekshmërisë neonatale; c) në subjekte me prediabet me rrezik të lartë për shkak të potencialit për të reduktuar përparimin në diabet.
Për shkak të mungesës së burimeve natyrore ushqimore të pasura me vitaminë D, suplementimi empirik mund të arrihet nëpërmjet një kombinimi të ushqimeve të fortifikuara dhe suplementeve që përmbajnë vitaminë D. Bazuar në mungesën e provave klinike mbështetëse, paneli sugjeron të mos kryeni teste rutinë për 25 (OH)D në mungesë të indikacioneve të përcaktuara. Këto rekomandime nuk synojnë të zëvendësojnë DRI-të aktuale për vitaminën D dhe as nuk zbatohen për njerëzit me indikacione të përcaktuara për trajtimin me vitaminë D ose për testimin 25(OH)D.
Si përfundim, këto udhëzime ofrojnë rekomandime klinike për përdorimin e vitaminës D që synon reduktimin e rrezikut të sëmundjes tek individët pa indikacione të përcaktuara për trajtimin me vitaminë D ose për testimin 25(OH)D.