sht92024
SST-të. OBSH-ja: bie numri i përdorimit të profilaktikëve
Në një raport të OBSH-së, evidentohet rënia shqetësuese e përdorimit të prezervativit nga adoleshentët seksualisht aktivë në Evropë, duke regjistruar një shtim të marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje me pasoja të rënda për shëndetin. Në këtë studim, në të cilin janë përfshirë më shumë se 242.000 14-vjeçarë në 42 shtete në vitet 2014-2022, u zbulua se një përqindje goxha e madhe e adoleshentëve nuk përdorin kontraceptivë, duke u ekspozuar ndaj infeksioneve seksualisht të transmtueshme (IST-ve) dhe shtatzënive të padëshiruara.
Bie numri i përdorimit të prezervativit, krahasuar me vitin 2014
Ky raport thekson nevojën e ndërhyrjeve urgjente për promovimin e praktikave seksuale më të sigurta nga të rinjtë, duke evidentuar rënien e përdorimit të prezervativit, krahasuar me vitin 2014. Të dhënat tregojnë se përqindja e adoleshentëve meshkuj që kanë përdorur prezervativ gjatë raportit të fundit seksual ka rënë nga 70% në 61%, ndërsa te femrat ka kaluar nga 63% në 57%. Gjithashtu, afro një e treta e adoleshentëve (30%) referuan se nuk kishin përdorur as prezervativ dhe as pilulë kontraceptive, një përqindje kjo që ka mbetur e pandryshuar që prej vitit 2018. Ndryshimet socio-ekonomike luajnë një rol të rëndësishëm: adoleshentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta janë më të prirur që mos të përdorin prezervativ ose pilulë kontraceptive, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre që vijnë nga familje më të pasura (33% me 25%). Raporti evidenton edhe se përdorimi i pilulës kontraceptive ka mbetur relativisht i qëndrueshëm në vitet 2014-2022, me 26% të 15-vjeçarëve që deklaruan se e kishin përdorur gjatë raportit të fundit seksual.
OBSH-ja: ofroni edukim seksual të plotë dhe të përshtatshëm për moshën
OBSH-ja tërheq vëmendjen mbi rëndësinë e ofrimit të një edukimi seksual të plotë e të përshtatshëm për moshën, si dhe të shërbimeve mbi shëndetin seksual, të qasshme e të përshtatshme për të rinjtë. Edukata seksuale duhet të shkojë përtej informacioneve të thjeshta, duke përfshirë edhe diskutime mbi dakordësinë, marrëdhëniet, identitetin e gjinisë dhe orientimin seksual, me qëllim që t'i ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë pjekuri dhe vetëdije kritike, duke i ndihmuar në komunikimin transparent dhe në zgjedhjet thelbësore të jetës. OBSH-ja i fton politikëbërësit, mësuesit dhe operatorët shëndetësorë t'u japin përparësi shëndetit seksual të adoleshentëve, duke investuar në edukim, duke përmirësuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, duke nxitur dialogun e hapur dhe duke kryer studime të mëtejshme mbi shkaqet e rënies së përdorimit të prezervativit. Kjo tendencë e rrezikshme mund të luftohet vetëm përmes një veprimi të koordinuar dhe të përcaktuar, duke garantuar një të ardhme më të shëndetshme për të rinjtë.