maj282024
Aknet. Kequshqyerja nxit zhvillimin dhe përkeqësimin e tyre. Ja, ushqimet që duhen shmangur
Produktet e qumështit, çokollatat dhe yndyrat e ngopura luajnë një rol thelbësor në zhvillimin e akneve, ndërsa përsa i përket alkoolit, produkteve të kripura, glutenit dhe vezëve, evidencat e acarimit të paraqitjes klinike duhet të shtjellohen më tej në studime ad hoc. Këto janë përfundimet e arritura nga një analizë të publikuar në Nutrients, në të cilën është analizuar ndikimi i ushqimeve në acne vulgaris, si për zhvillimin e sëmundjes, ashtu edhe për përkeqësimin e saj. Kjo analizë u koordinua nga Izabella Rygula, në Universitetin Mjekësor të Silesisë në Katowice, Poloni.
Acne vulgaris, shkaqet dhe paraqitja
Acne vulgaris, është një sëmundje inflamatore kronike e lëkurës, e cila konsiderohet si patologjia më e zakonshme në adoleshencë dhe në vitet e para të moshës madhore, pasi prek 80-100% të individëve në moshat 11-30 vjeç. Nga këta të fundit, 85% zhvillon një formë të lehtë aknesh, ndërsa 15% një formë të rëndë. Gjithashtu, është vlerësuar se 9% e popullsisë së përgjithshme vuan nga kjo patologji e lëkurës.
Etiologjia e akneve është komplekse dhe përfshin, ndër të tjera, faktorët gjenetikë, hormonalë dhe mjedisorë. Sëmundja paraqitet me papula, abscese apo pustula, të lokalizuara kryesisht në fytyrë, krahë dhe toraks, si dhe me lezione jo inflamatore.
Në bazë të veçorive morfologjike dhe ashpërsisë së lezioneve, aknet ndahen në: komendonale, me mbizotërim të komendoneve, të njohura në gjuhën popullore si pikat e zeza (të mbyllura dhe/ose të hapura); papulopustoloze, të karakterizuara nga prania e lezioneve jo inflamatore; akne me inflamacion intensiv, të cilat përfshijnë aknet nodulare dhe ato të grupuara, ku shihet prania e noduseve dhe cisteve; acne fulminans dhe aknet purulente. Për më tepër, kjo sëmundje e lëkurës zakonisht shoqërohet me cilësi jete më të keqe dhe mund të jetë baza e një karakteri depresiv.
Ushqyerja dhe aknet
Lidhja që ekziston ndërmjet ushqyerjes dhe akneve, është ende një faktor i diskutueshëm, pavarësisht se dihet që dieta ushqimore lidhet drejtpërdrejt me disa shënjues biokimikë dhe me aktivitetin e gjeneve të lidhura me funksionin e gjëndrave dhjamore, si dhe me proliferimin e baktereve dhe inflamacionin, që nxisin përparimin e sëmundjes. Autorët kanë kryer një analizë të literaturës shkencore, me qëllim për të hedhur dritë mbi këto aspekte.
Nga analiza, rezultoi se edhe pse ushqyerja nuk quhet një shkak i provuar i akneve, ekzistojnë një sërë evidencash që konfirmojnë efektin e dëmshëm të disa ushqimeve në patogjenezën e lezioneve të akneve. Sidomos, produktet e qumështit, çokollata dhe yndyrat e ngopura, luajnë një rol thelbësor në zhvillimin e akneve. Gjithashtu, alkooli, produktet e kripura, gluteni, vezët, misri, frutat, ëmbëlsirat Coca-Cola, apo pijet jo alkoolike, duket se nxisin dhe përkeqësojnë aknet. Megjithatë, këto rezultate duhet të konfirmohen edhe nga studime të tjera.