qer42024
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme. ECDC: rritje shqetësuese në BE. Kujdes, gjatë verës
Gjatë këtij viti po vërehet një rritje shqetësuese e infeksioneve seksualisht të transmetueshme në të gjithë Evropën. Ishte prania e shtuar e klamidias, gonorresë dhe sifilizit ajo, që e shtyu Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të nxjerrë një lajmërim në kuadër të pushimeve, udhëtimeve, apo pjesëmarrjeve në festivale dhe organizime të tjera të mëdha, duke i nxitur të gjithë të qëndrojnë të informuar dhe të praktikojnë marrëdhënie seksuale të sigurta.
"Këtë verë mbro shëndetin tënd", rekomandon ECDC. Ajo i fton njerëzit të jenë të ndërgjegjshëm mbi rrezikun për infeksione të shkaktuara nga raportet intime, t'u nënshtrohen testeve të vazhdueshme dhe të informohen siç duhet mbi këtë temë, duke u konsultuar me operatorët shëndetësorë. Ekspertët rekomandojnë edhe konsultimin përsa i përket vaksinave kundër hepatitit A, hepatitit B dhe lisë së majmunit (më parë referohej si gripi i majmunëve), si dhe në lidhje me masat parandaluese, të tilla si profilaksia para ekspozimit kundër virusit HIV.
ECDC thekson rëndësinë e praktikave seksuale më të sigurta, duke përfshirë edhe përdorimin koherent të prezervativit në rast marrëdhëniesh seksuale vaginale, anale dhe orale. Këshillohet që t'u nënshtroheni testeve për sëmundjet seksualisht të transmetueshme përpara kryerjes së marrëdhënieve seksuale pa prezervativ me partnerë të rinj, pasi shumë infeksione mund të jenë asimptomatike. Nëse testimi para tyre nuk është i mundur, është e rëndësishme që t'i nënshtroheni testeve pas kryerjes pa prezervativ, edhe nëse nuk ka simptoma të dukshme.
ECDC shpjegon se mund të transmetohen edhe viruse të tjera, përveç klamidias, gonorresë dhe sifilizit, përmes kontaktit të afërt dhe aktivitetit seksual. Për shembull, burrat që kanë raporte seksuale me meshkuj të tjerë rrezikojnë të zhvillojnë linë e majmunit, e cila transmetohet kryesisht përmes kontaktit lëkurë-lëkurë, si dhe gjatë marrëdhënieve seksuale. Lija e majmunit mund të transmetohet te të tjerët, edhe nëse nuk ka shfaqje të simptomave. Gjithashtu, ka disa infeksione që shkaktojnë diarre të rëndë, si Shigella dhe hepatiti A, të cilat përhapen edhe te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj. Ekspertët rekomandojnë që edhe kundër këtyre sëmundjeve, duhet përdorur vazhdimisht çdo mjet mbrojtës dhe higjiene. "Nëse vuani nga diarreja, duhet të shmangni aktivitetin seksual dhe të merrni kujdes shëndetësor", përfundojnë ata.