qer242014
Suela Këlliçi: Rëndësia e ndërveprimit ndërinstitucional për formimin e profesionit të farmacistit
Është bërë gati si zakon që në takime, forume apo seminare të ndryshme që kanë në qendër formimin farmaceutik (si dhe atë mjekësor në përgjithësi), të diskutohet mbi nevojat për formim të profesionistëve të shëndetit dhe mbi domosdoshmërinë e një ndryshimi rrënjësor të mënyrës së mësimdhënies dhe mësimnxënies në këtë fushë.
Sistemi arsimor mjekësor në Shqipëri ka rrugëtuar për rreth 60 vjetë përmes modeleve të ndryshme të cilat i janë përshtatur në kohë kushteve të vendit dhe mund të themi se vetëm këto 20 vitet e fundit ka tentuar të rreshtohet në sistemet perëndimore të evoluara. Duhet thënë që ky sistem ende ruan të theksuar elementet e shkollave lindore të bazuar mbi punën në auditor dhe të shkëputur ndjeshëm nga aplikimet klinike. Studentët e të gjithë fakulteteve mjekësore në Shqipëri, tradicionalisht kanë vuajtur simptoma të ngjashme të të mësuarit dhe memorizuarit pafund të elementeve teorike të mësimdhënies, shpeshherë të pambështetura dhe të pa alternuara si duhet me elemente të aplikimit të tyre.
Por sa mbështetemi ne në diksutimet dhe vendimmarrjet tona mbi atë çfarë vërtet është e nevojshme për formimin e farmacistit, sa realizohen studime të tregut e të nevojave të tij dhe sa bashkëpunim ka mes fakulteteve që ofrojnë formim farmaceutik dhe urdhrit tonë profesional apo shoqatave tona profesionale? Në të vërtetë shumë pak.
Nga ana tjetër a kanë realizuar fakultetet apo urdhrat profesionale ndonjë studim për të investiguar mbi pritshmëritë e profesionistëve të ardhshëm të shëndetit nga formimi i tyre universitar dhe mbi përmbushjen e tyre në ushtrimin e profesionit? A kanë realizuar ata ndonjë studim të tregut farmaceutik për të identifikuar nevojat, mundësitë a pengesat ndaj formimit tonë profesional?
Unë mendoj se as universitetet të vetme dhe as urdhrat të vetëm nuk mund të ndërmarrin një nisëm të tillë. Të qënit profesion i rregulluar siç është ai i farmacistit nënkupton një ndërveprim të thellë mes ofruesve të formimit universitar dhe organizmit që rregullon profesionin në fjalë.
Në dritën e ndryshimeve që kanë ndodhur vitet e fundit me praninë në ofertën akademike të ofruesve të ndryshëm të formimit farmaceutik publik dhe privat, lind natyrshëm nevoja e një bashkërendimi më të mirë të programeve mësimore në mënyrë që të sigurohet një standard profesional i pranueshëm dhe i përshtatshëm për profesionistin e sotëm. Këtë synim ka patur aplikimi i provimeve të shtetit në profesionet e rregulluara. Se sa e ka përmbushur ky provim synimin e arritjes së një standardi të profesionistëve ushtrues të profesionit, kjo përsëri është një pyetje që gjen përgjigje me vështirësi.
Është fakt se për sa i përket universiteteve, vitet e fundit ka patur tendenca sporadike të aplikimit të metodave alternative të mësimdhënies duke synuar ndërveprimin interaktiv të studentëve dhe pedagogëve në auditor. Janë vërejtur gjithashtu tendenca të disa disiplinave klinike për të aplikuar mësimdhënie dhe mësimnxënie të bazuar mbi probleme, por ka munguar një mirëkoordinim i disiplinave të ndryshme. Vetëm 2-3 vitet e fundit ka filluar të flitet për një ndryshim radikal të kurrikulave mjekësore në mënyrë që ato të përafrohen me modelet më bashkëkohore dhe më të suksesshme. Ky ndryshim radikal i kurrikulave duhet të fillojë me një vlerësim serioz të nevojave të profesionistëve mjekësorë, në mënyrë që bazuar mbi këto nevoja të ndërtohet një kurrikulë bashkëkohore, e shërbyeshme dhe e aplikueshme.
Një element tjetër i rëndësishëm në formimin profesional dhe në ruajtjen e standardit profesional është edhe aplikimi i sistemit të edukimit në vazhdim. Aplikimi i këtij sistemi që sigurisht nuk është krijesë e jona por një aplikim që tashmë në praktikat më të mira ndërkombëtare ka arritur çertifikimin e tij, në Shqipëri nuk ka arritur ende të formëzohet ashtu siç duhet. Përsëri nevojitet bashkëpunim mes ofruesve të edukimit në vazhdim dhe përfituesve të këtij edukimi (urdhrave) në mënyrë që oferta e edukimit në vazhdim të mos degradojë në disa leksione të mërzitshme ku profesionistët të shkojnë sa për të marrë kreditet e nevojshme vjetore, por të tentohet në një kalendar të studiuar të formimit të vazhdueshëm profesional, ku çdo pjesëmarrës të jetë përfitues real i njohurive dhe aftësive dhe jo thjesht përfitues i një çertifikate apo disa krediteve, të ofruara si të mundet e nga kush të mundet.
Mendoj se ka ardhur koha për një platformë të studiuar mirë të formimit profesional farmaceutik, si të atij në nivel universitar, ashtu edhe edukimit në vazhdim. Unë do të sugjeroja ngritjen e një grupi pune të udhëhequr nga urdhri i farmacistëve dhe me përfaqësues nga fakultetet publike dhe private që ofrojnë formim farmaceutik për të realizuar një studim të kujdesshëm të tregut dhe për të identifikuar nevojat për formim profesional në fushën e farmaceutikës. Bazuar mbi të dhënat e përftuara të hartohen më pas rekomandimet përkatëse për autoritet vendimmarrëse, qoftë ato arsimore, qoftë ato shëndetësore.