gus12014
1-7 gusht, java botërore e ushqyerjes me gji
Java Botërore e Ushqyerjes me Gji është një aksion madhor i cili zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë muajit Gusht. Kjo javë organizohet nga WABA (Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me Gji) me mbështetjen e fuqishme të UNICEF dhe OBSH-së. Çdo vit përzgjidhet një temë e veçantë mbi të cilën organizohet Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, dhe jepen rekomandimet për aktivitete të ndryshme në të gjitha vendet e botës që e festojnë këtë javë.
Qeveritë dhe Kombet e Bashkuara (KB) në vitin 1990 vendosën Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZhM) për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në mënyrë të plotë deri në vitin 2015. Ky vit është viti i fundit për të vlerësuar progresin në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit, ndaj dhe tema e këtij viti për Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji është në përgjigje të këtyre objektivave të mijëvjeçarit.
Qëllimi i Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji është nxitja dhe inkurajimi për ushqyerjen me gji të foshnjave për të përmirësuar shëndetin e tyre. Mbrojtja, promovimi dhe mbështetja e ushqyerjes me gji është një qëllim i vlefshëm dhe shpëton jetë.
Java botërore e ushqyerjes me gji thekson rëndësinë e rritjes, ruajtjen, mbrojtjen, promovimin dhe mbështetjen e ushqyerjes me gji edhe pas vitit 2015, si dhe angazhimin sa më shumë që të jetë e mundur të grupeve dhe njerëzve të moshave të ndryshme.
Mesazhi për javën e ushqyerjes me gji këtë vit është:
" Ushqyerja me gji - një fitore për jetën".
Ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, dhe duhet të jetë domosdoshmërisht ushqimi i zgjedhur për fëmijën në muajt e parë të jetës.
Qumështi i gjirit
Qumështi i gjirit i pari, 3-4 ditët e para pas lindjes, është si lëng i trashë, i verdhë dhe quhet kulloshtër. Fëmija nuk duhet ta humbasë kulloshtrën pasi ajo është e pasur me proteina, kripëra minerale dhe mbi të gjitha me disa faktorë mbrojtës si imunoglobulina A ose IgA, që mbron aparatin tretës dhe respirator të fëmijës nga viruse, baktere apo substanca " të huaja" që mund të provokojnë reaksione alergjike.
Qumështi "i dytë" ose i tranzicionit vjen rreth ditës së 3-4. Ai merr pamje më të qartë, më kremoze dhe të yndyrshme. Në këtë fazë qumështi përmban më shumë sheqerna të domosdoshme për rritjen e indeve cerebrale, dhe yndyrna që shërbejnë si burim energjie.
Qumështi përfundimtar vjen brenda 10 ditësh. Ai është tashmë më i lëngshëm dhe me shije më të ëmbël, sepse uji është elementi kryesor i tij. Kjo pamje më e hollë e qumështit nuk duhet t'i bëjë nënat të mendojnë se qumështi i tyre nuk është më i ushqyeshëm.
Qumështi i gjirit përmban të gjitha elementet e nevojshme në sasi dhe cilësi, dhe është i tretshëm.Ai përmban: 88% ujë, proteina, yndyrna, sheqerna, vitamina e kripëra minerale.
Vetëm Qumështi i gjirit përmban lëndët apo trupëzat mbrojtëse.
Informacion i marrë nga faqja zyrtare e Institutit të Shëndetit Publik