sht52014
Pediatre ORL Juzela Shehu: Përdorimi pa kriter i barnave, abuzimi me antibiotikët
Shqiptarët konsumojnë më shumë barna se çdo vend i Europës, madje mund të quhemi shoqëri e hipermedikalizuar apo e dendur me barna të panevojshme.
Banka Botërore ka realizuar një studim mbi përdorimin e medikamenteve dhe vendin tonë e rendit në krye të top-listës për përdorimin e tyre ku krahasuar me vendet e BE-së ne përdorim dyfish më shumë. Ndërkohë në studim shpjegohen arsyet se përse shqiptarët kërkojnë të zgjidhin çdo problem shëndetësor me barna dhe ketu kritikat kryesore bien mbi farmacistët, të cilët japin barna pa recetë dhe mbi mungesën e profesionalizmit të mjekëve.
Një faktor tjetër është dhe mungesa e një organizimi i cili mbron pacientët nga gabimet e mundshme mjekësore dhe abuzimit me to.
Faktor tjetër i përdorimit pa kriter të barnave është mentaliteti i shoqërisë shqiptare e cila mbetet ende një shoqëri jo dhe aq e ndërgjegjësuar, që kërkon të zgjidh çdo problem shëndetësor me barna.
Përmendim disa raste të përdorimit abuziv të antibiotikëve:
1. kur antibiotikët përdoren për çdo ngritje të temperaturës pa marrë parasysh etiologjinë e saj;
2. kur antibiotikët përdoren në sëmundjet e ndryshme virale;
3. kur bëhet përzgjedhja e gabuar e antibiotikëve;
4. kur antibiotikët vazhdohen të përdoren edhe përkundër lajmërimit të rezistencës ndaj tyre;
5. kur antibiotikët jepen në doza jo adeguate, ndërpriten para kohe ose përdoren për një kohë shumë të gjatë;
6. kur zgjidhet rruga e gabuar e përdorimit të antibiotikëve;
7. kur antibiotikët nuk ndërrohen edhe përkundër lajmërimit të superinfeksioneve rezistente;
8. kur bëhet kombinim jo i përshtatshëm i antibiotikëve;
9. kur ato përdoren si profilaksi tek infeksionet virale;
10. kur me përdorimin e tyre mundohemi të mjekojmë sëmundjet që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Si përfundim, perdorimi masiv dhe tërësisht pa kriter i antibiotikëve po shndërrohet në një kërcënim serioz për shëndetin e shqiptarëve.