Shëndetësi

nën182014

Urdhri i Farmacistit: 2500 farmacistë, kuotë e detyrueshme vjetore

Presidentja e Urdhrit, Diana Toma: Sa më  të  forta financat, aq më i fortë  është "Urdhri". Çdo shpenzim  transparent për kontribuesit!

Urdhri i Farmacistëve është një ent publik i cili, edhe pse prodhon një të mirë publike, është jo buxhetor  dhe funksionon në bazë të kuotave që mblidhen nga kontributet e farmacistëve dhe tarifat e certifikatave,  me të cilat Urdhri pajis anëtarët e vet. Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, e cila ende nuk ka bërë 1 vit në krye të entit, Diana Toma, dhe që ka një mandat 5-vjecar sipas ligjit të ri, shpjegon se Urdhri ka një rol të rëndësishëm pasi rregullon profesionin e farmacistit në marrëdhënie me qytetarët, por dhe në marrëdhënie me institucione shtetërore si: Ministria e Shëndetësisë, fondi i detyrueshëm, Qendra e Edukimit në Vazhdim etj. Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve zgjidhet me votë nga Këshilli Kombëtar, i cili përbëhet nga presidentët e urdhrave të rajoneve dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, fondit të deturueshëm, shoqatës së mbrojtjes së qytetarëve dhe përfaqësuesve të Fakultetit të Mjekësisë. "Urdhri është ent i pavarur nga politika. Një funksion i rëndësishëm i Urdhrit është licensimi  dhe rilicensimi i farmacistëve, proces i cili mban farmacistin në kontakt me njohuritë e reja dhe me zhvillimet farmaceutike", shprehet Toma ndërkohë që i përgjigjet pyetjeve për Farmacist33.al.

Znj.Toma, ju thoni që Udhri i Farmacistëve mbahet nga kuotat që derdhin farmacistët. Sa është kjo kuotë?

Ato përcaktohen në statut, përcaktohen me vendim të këshillit kombëtar. Urdhri është ent ku fryma kolegjiale vendos, qoftë në lidhje  me kuotizacionet qoftë me vendime të ndryshme që merren. Pra, këtu nuk ka një individ i cili ka ''shkopin magjik'' dhe bën çfarë të dojë.

Do të doja të dija sa është kuota që derdhin farmacistët, dhe një herë në sa kohë derdhet kjo kuotë?
Këto nuk i themi, nuk i bëjmë publike. Edhe Urdhri i Mjekëve nuk i publikon. Mënyra e derdhjes është individuale. Mund të jetë e përmuajshme, mund të jetë vjetore, një herë në gjashtë muaj, varet.

Përse përdoren këto kontribute? Çfarë shpenzimesh ka Urdhri?

Gjithçka kërkon fonde. Mbajtja e aparatit të Urdhrit është në bazë të fondeve, zhvillimi i inspektimeve bëhet në bazë të fondeve, licensimi është në  bazë  të fondeve, zhvillimi i aktiviteteve të edukimit në  vazhdim, që është një ndër ngarkesat kyçe që na jep ligji i ri,  bëhet në  bazë  të fondeve. Është si një shtëpi e vogël  e cila nuk mund të vazhdojë të ekzistojë nëse nuk i ka këto fonde por nga ana tjetër duhet dhe t'i menaxhojë mirë.

I mbuloni shpenzimet me kuotat?

Domosdoshmërisht, sa më e fortë financa e një Urdhri, aq më i fortë është dhe ai si urdhër.

Ju organizoni dhe konferenca ku farmacistët marrin kredite?

Patjetër. Në datat 12 dhe 13 dhjetor zhvillojmë  konferencën e tretë  farmaceutike. Kjo vjen pas dy konferencave të  realizuara shumë  mirë, vjet dhe parvjet. Por, ne kemi përmbushur dhe leksione të ndryshme të zhvilluara jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë për edukimin në vazhdim  ku lektorë  të ndryshëm u kanë ofruar faramcistëve në formën e leksioneve njohuri nga problematika të ndryshme të sistemit farmaceutik.

 A paguan farmacisti në këtë rast? Po kredite merren në to?
Patjetër është një rrugëtim që zhvillohet në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare  të Edukimit në Vazhdim. Ata marrin kredite. Farmacisti paguan një kuotizacion plus që është vetëm për konferencën, por asnjëherë ajo vlerë pagesë nuk arrin të mbulojë të gjithë shpenzimet që duhen për organizimin e atij eventi. Nuk ka rezultuar asnjëherë që aq sa paguhet të na mbulojë  të  tëra shpenzimet. Kështu që  është ai buxheti rezervë  që  duhet, që duhet mirë-menaxhuar, por dhe planifikuar që në fillim të vitit se sa fonde do të  vihen në  dispozicion.
Presidentja e Urdhrit, Diana Toma, nuk preferon të bëjë publike shumën vjetore që mblidhet nga kontributet e  rreth 2500 farmacistëve në një vit. Ajo thekson se çdo fillim viti projekt-buxheti miratohet  në  këshill kombëtar. "Anëtarësia, pra çdo farmacist që kërkon të dijë se si shpenzohen fondet e Urdhrit mund të drejtohet pranë presidentëve të  rajoneve, të cilat kanë  këtë informacion. Pra ekziston një transparencë  maksimale, por duhet që ky farmacist të shkojë  të kontaktojë  me presidentin e urdhrit të  rajonit", shprehet Toma për Farmacist33.al.

Përgatiti: Alma Demiraj


 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC