mar102015
Miratohet lista e barnave të rimbursueshme, 12 principe aktive të reja dhe zgjerim i saj
Është miratuar lista e barnave të rimbursueshme për vitin 2015. Kjo listë përmban 1.038 barna alternativa tregtare dhe 489 barna alternativa të para. Lista e re e miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndryshe nga ajo e vitit 2014, është shtuar me 12 principe të reja aktive. Ndërkohë lista e barnave të rimbursueshme për vitin 2014 përfshinte 477 barna dhe 268 principe aktive.
E konsultuar me shefat e shërbimeve në QSUT-së dhe jo vetëm, kjo listë është zgjeruar me barna të reja në përdorim që prekin pothuajse të gjitha fushat e mjekësisë ambulatore me interes për një numër të gjerë pacientësh. Por shefat e shërbimeve kanë sugjeruar pasurimin e listës së barnave të rimbursueshme me medikamente që përdoren për trajtimin e sëmundjeve tumorale, diabetit, sistemit nervor, sistemit të frymëmarrjes. Nuk mbeten më pas sëmundjet reumatologjike, kujdesi paliativ apo sëmundjet e mëlçisë, medikamentet që përdoren për trajtimin e tyre janë pasqyruar në këtë listë.
Me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar edhe marzhi i tregtimit 8% për barnat e listës së rimbursueshme që tregtohen me shumicë dhe 24 % për barnat që tregtohen me pakicë. Lista e plotë me barnat e rimbursueshme ende nuk është bërë publike. Burime nga Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor bëjnë me dije se ajo pritet të botohet së shpejti në fletoren zyrtar. Lista e re me barnat e rimbursueshme hyn ne fuqi me datën 1 prill 2015.
Përgatiti: Alma Demiraj