maj102016
50 mijë lekë gjobë deri largim nga puna për ata që reklamojnë qumështin formulë
Asnjë mjek në konsultore, pediatër apo punonjës i sistemit shëndetësor nuk mund t'i sugjerojë nënave me bebe se cilin qumësht artificial mund t' i japin shtesë foshnjës së tyre. Në Komisionin e Shëndetësisë janë diskutuar disa ndryshime në ligjin "Për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji".
Këto ndryshime parashikojnë sanksione për reklamimin e zëvendësuesve të qumështit të gjirit. Po kështu prodhuesve dhe shitësve u ndalohet reklama dhe promovimi i produkteve në ekrane televizive apo dhe institucione shëndetësore.
Në rast të konstatimit të shkeljes së këtij ligji, prodhuesi dënohet me gjobë deri në 200 mijë lekë, si dhe heqje të licencës sipas rastit.
Për monitorimin e zbatimit të ligjit është ngarkuar Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
Ndryshimet në disa nene të ligjit u miratuan në Komisionin e Shëndetësisë dhe pritet të miratohen të enjten në seancën parlamentare.
Alma Demiraj