qer262018
Me ligjin e ri, nuk u njihet diploma. 4 mijë infermierë duhet të kthejnë rrogat e marra dhe të rifillojnë shkollën
Ligji i ri i arsimit të lartë rikthen në shkollë infermierët që kanë mbaruar studimet nga viti 2002 deri në vitin 2006. Sipas Ministrisë së Arsimit, ata duhet të kryejnë masterin shkencor pasi sistemi shkollor që ata kanë ndjekur tre vjet e gjysmë teori dhe 6 muaj praktikë, përputhet me diplomën bachelor dhe jo master, siç u është njohur deri më tani.
Por, Urdhri i Inferimerëve i kërkon Ministrisë së Arsimit të ulet menjëherë në bisedime me Fakultetin e Infermierisë dhe atë të Mjekësisë, për të gjetur një zgjidhje, pasi kjo është e papranueshme.
"Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Arsimit që ta ndryshojë ajo programin mësimor duke shtuar orët e praktikës. Kjo bëhet në një kohë kur Gjermania preferon më shumë infermierët që kanë mbaruar sipas atij sistemi 3 vjet e gjysmë teori e gjashtë muaj praktikë dhe jo këta që mbarojnë studimet me këtë program ku ka vetëm teori", shprehet presidenti i Urdhrit të Infermierit, zoti Sabri Skënderi.
Nga ana tjetër, infermierët duhet të kthejnë mbrapsht paratë e marra deri më tani, pasi sipas Ministrisë së Arsimit, i kanë përfituar duke iu njohur diploma master.
Ata infermierë që kanë mbaruar studimet para 12 vjetësh, duhen të rikthehen edhe njëherë në shkollë dhe të aplikojnë në programin master për të plotësuar kreditet.
Alma Demiraj