shk282019
Shënohet viktima e pestë nga gripi. Këtë herë, një nënë e re
Një nënë 36 vjeçare nga Fieri, që i përkiste komunitetit rom, e cila lindi dy binjakë, ka humbur jetën ditën e diel bashkë me një nga foshnjat e saj, në reanimacionin e Sanatoriumit, pasi gjatë shtatzënisë, u prek nga virusi i gripit.
E reja u shtrua në sanatorium në datën 9 shkurt dhe ishte vetëm në javën e 31-të të shtatzënisë. Ajo kaloi në pneumoni të rëndë dhe mjekët e sanatoriumit vendosën të bënin lindje të detyruar.
"U fut me urgjencë në reanimacion, por gjendja ishte shumë e rëndë, ndaj vendosëm të bënim lindje të detyruar", shprehet shefja e reanimacionit, Alma Cani.
Ekipi i mjekëve të sanatoriumit ftoi mjekët gjinekologë të maternitetit "Koço Gliozheni" për të realizuar lindjen e dy binjakëve në ambientet e sanatoriumit. Fatkeqësisht, njëri nga binjakët, e cila ishte vajzë nuk arriti të mbijetonte. Ndërsa foshnja tjetër, që është djalë, është në gjendje të stabilizuar në pavijonin e neonatëve në maternitetin "Koço Gliozheni".
"Nënën e mbajtëm në terapi intensive për shumë ditë të tjera pas lindjes, por imuniteti i dobët dhe gjendja e rëndë shëndetësore bënë që të humbte jetën", shprehet mjekja Cani.
Virusi i gripit ka shënuar 5 viktima për këtë vit, ndërmjet të cilëve është edhe kjo grua shtatzënë, cila nuk ishte vaksinuar. Instituti i Shëndetit Publik vijon t'u bëjë thirrje qytetarëve, sidomos atyre që kanë sëmundje kronike apo grave shtatzëna, që të vaksinohen, pasi gripi është edhe vdekjeprurës.
Alma Demiraj