kor122019
Shumë pacientë me kancer përdorin barna alternative, pa i informuar mjekët kurues
Një e treta e pacientëve me diagnozë të kancerit, përdorin barna plotësuese e alternative dhe shumë prej tyre nuk ua tregojnë këtë mjekëve të tyre, sipas një letre kërkimore të botuar në "JAMA Oncology". Nina Sanford (UT Southvvestern Medical Center), autore kryesore e studimit, thotë se pacientët më të rinj dhe në veçanti, gratë, kanë më shumë gjasa të përdorin barna plotësuese dhe alternative.
Analiza e të dhënave nga Sondazhi i Shëndetit Kombëtar (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) në Shtetet e Bashkuara tregoi se nga afërsisht 3,100 pjesëmarrës të anketimit që raportuan një histori të kancerit, 33,3% kanë përdorur mjekësi alternative në 12 muajt e mëparshëm, në veçanti shtesa bimore (35.8%), të ndjekura nga: kiropati dhe manipulim osteopatik (25.4%), masazh (14.1%), joga/tai, chi/qigong (7, 6%), mantra/mindfulness/meditim shpirtëror (6.9%), dieta speciale (2.9%) dhe akupunkturë (2.0%).
Nga 1,023 pjesëmarrës që raportuan se kishin përdorur barna alternative, 288 (29.3%) nuk kishin folur për këtë me mjekët e tyre. Shumë të anketuar deklaruan se nuk kishin thënë asgjë, sepse mjekët e tyre nuk kërkuan informacion të tillë. Të tjerë thanë se nuk mendonin që mjekët e tyre duhet të informoheshin. Ekspertët, megjithatë, bien dakord se në këtë sjellje, shqetësues është sidomos përdorimi i integratorëve bimorë.
"Disa nga këta integratorë janë përzierje e përbërësve të ndryshëm. Nëse nuk e dini saktësisht se çfarë përmbajnë, do t'u këshilloja pacientëve që të mos i përdorin ato gjatë rrezatimit sepse mund të mos ketë të dhëna mbi komponentë të caktuar që mund të ndërhyjnë në trajtim. Për shembull, ne kemi merakun se nivelet shumë të larta të antioksidantëve mund ta bëjnë rrezatimin më pak efektiv", shpjegon Sanfordi. Megjithatë, studiuesit janë shumë më të hapur ndaj praktikës së meditimit dhe jogës.
"Ne u rekomandojmë fuqimisht pacientëve që të mbeten aktivë dhe të angazhohen në aktivitet fizik gjatë trajtimit. Një efekt anësor i përbashkët i rrezatimit është lodhja dhe pacientët që e ndiejnë më shumë lodhjen, janë ata më sedentarët", përfundojnë autorët.
JAMA Oncol. 2019. doi: 10.1001/jamaoncol.2019.0349
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30973579